PDK procedon projektligjin për pensionimin e parakohshëm në polici dhe inspektorat

Deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu dhe Rashit Qalaj, kanë bërë të ditur se partia ka ndërmarrë nismën për hartimin e Projektligjit për pensionet e zyrtarëve policor të Policisë së Kosovës dhe punonjësit e Inspektoratit Policor të Kosovës me autorizime policore.

Musliu në një konferencë për media tha se mosha mesatare e policëve është 47 vjeç dhe shqyrtimi i këtij projektligji është i domosdoshëm.

“Policia e Kosovës edhe pse është policia më re e themeluar në Evropë, ajo fatkeqësisht nuk është e re edhe me moshën e zyrtarëve të saj. Mosha mesatare e Policisë së Kosovës kalon moshën rreth 47 vjet andaj është e domosdoshme të bëhet shqyrtimit i këtij projektligji në afatin sa më të shkurtër kohor, në mënyrë që edhe të veprohet sa me shpejt që është e mundur nga Kuvendi, duke e marrë parasysh pikërisht shqetësimet që adresohen përmes projektligjit.”, ka thënë deputetja Musliu.

Tutje, Musliu tha se Grupi Parlamentar i PDK-së ka përgatitur edhe Memorandumin Shpjegues dhe kanë mbledhur nënshkrimet e nevojshme dhe sot do ta procedojnë në Kuvend këtë projektligj.

“Ky ligj përcakton njohjen e së drejtës në pension për zyrtarët policor të Policisë së Kosovës dhe punonjësit e Inspektoratit Policor të Kosovës me autorizime policore, familjarët e tyre, si dhe kriteret dhe të drejtën për pensionim. Ky ligj rregullon dhe përcakton kushtet dhe kriteret për garantimin e pensioneve, llojet e pensioneve, si dhe përcakton kategorizimin e pensioneve për pension për zyrtarët policor të Policisë së Kosovës dhe punonjësit e Inspektoratit Policor të Kosovës me autorizime policore dhe familjarët e tyre.”, ka përfunduar Musliu.

Ndërkaq, deputeti Rashit Qalaj ka treguar disa prej arsyeve pse ky projektligj duhet të mbështetet nga të gjitha grupet parlamentare në Kuvendin e Kosovës.

“Është shumë e nevojshme që sa më parë që është e mundur ky ligj të vij në Kuvend,. Por, arsyeja kryesore është që Policia e Kosovës të investoj në gjeneratat e reja. Mosha mesatare prej 47 vjeç tregon se policia është e vjetër dhe ka nevojë të rinohet”.

“Ka shumë policë të vjetër me sëmundje të rënda, të cilat ua pamundësojnë që të kryejnë detyrat ashtu siç kërkohet. Po ashtu, Policia e Kosovës ka njësi të shumta ku shërbejnë mosha të ndryshme. Edhe ata ato kanë nevojë të përtrihen. Ne kërkojmë mbështetjen për këtë projektligj edhe nga Grupet tjera parlamentare dhe si tillë duhet të votohet nga të gjitha partitë politike”, tha Qalaj.