PDK në legjislaturën e re me një deputet me aktakuzë

Pas përfundimit të zgjedhjeve të brendshme partiake dhe rizgjedhjes në krye të partisë, Kadri Veseli, kishte  marrë një vendim për pastrimin e partisë nga njerëzit të cilin kishin probleme me ligjin. Ai kishte vendosur t’i largonte nga partia dhe nga postet shtetërore ata që kanë një aktakuzë të konfirmuar.

Megjithatë Veseli tashmë në grupin parlamentar të PDK’së ka një deputet ndaj të cilit është ngritur aktakuzë vetëm para pak kohe.

Bëhet fjalë për deputetin, Kujtim Gashi, i cili akuzohet nga Prokuroria Themelore e Prizrenit  për veprën “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422  paragrafi 1 lidhur me paragrafin 2 nëparagrafi 2.2 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK)”.

Gashi dyshohet se gjatë vitit 2015 ka shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar i tejkalon kompetencat e tij zyrtare duke keqpërdorur pasurinë publike me qëllim të përfitimit të çfarëdo dobie për persona tjerë juridik TV “Besa” dhe TV “Opinion”.

Megjithatë një gjë e tillë nuk e ka penguar Gashin që të dalë dhe të kritikojë koalicionin LDK-VV ende pa themeluar institucionet e reja.

Njoftimi i Prokurorisë Themelore të Prizrenit për aktakuzën ndaj Kujtim Gashit e ngritur më 17 dhjetor:

Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë kundër K.G., për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422  paragrafi 1 lidhur me paragrafin 2 nëparagrafi 2.2 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

Sipas aktakuzës, i pandehuri K.G., gjatë vitit 2015 deri në tetor të vitit 2016 në Prizren, në cilësinë e kryesuesit të Asamblesë Komunale duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar i tejkalon kompetencat e tij zyrtare duke keqpërdorur pasurinë publike me qëllim të përfitimit të çfarëdo dobie për persona tjerë juridik TV “Besa” dhe TV “Opinion”.

I pandehuri K.G., pa procedurë të tenderimit lidh kontrata për transmetimin dhe  ritransmetimin e seancave të Asamblesë Komunale në Prizren,  me TV “Besa” me datë 08.01.2015 në shumë prej 250 euro për çdo seancë,  ndërsa pagesat për këto shërbime janë  autorizuar gjatë vitit 2016 në shumë prej 1750 euro.

Po ashtu, i njëjti ka lidhur kontratë  me TV “Opinion” me datë 08.01.2015 në shumë prej 400 euro për transmetimin e seancave të Asamblesë Komunale ndërsa pagesat janë  autorizuar gjatë vitit 2015 dhe 2016 në shumë prej 6700 euro. Pagesa totale për këto dy televizione ka arritur shumën totale prej 8.450 euro në kundërshtim me Ligjin e prokurimit publik, Ligjin mbi menaxhimin e financave publike dhe përgjegjësive si dhe Rregulloren e thesarit për shpenzimin e parasë publike.

Me këto veprime, ekziston dyshimi i bazuar mirë se i pandehuri K.G., ka përmbushur elementet e veprës penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” sipas KPRK-së.

Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës që i pandehuri të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit, për veprën penale e cila i vihet në barrë.