Dega e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) në Drenas ka reaguar pas publikimit të incizimeve ku pretendohet se kryetari i komunës, Ramiz Lladrovci, ka qenë pjesë e pazareve që kapin shuma prej miliona eurosh dhe lidhen me pronat publike e tokat komunale.
Sipas PDK-së, në incizim dëgjohet qartë për një strukturë të organizuar që, siç thuhet, ka ngritur sistem pazari mbi pasuritë publike, duke i trajtuar ato si mall privat për përfitime të ngushta.
“Një nga elementet më shqetësuese është çështja e mbi-ndërtimit mbi pronë publike. Vetë kryetari në ikje jo vetëm që nuk e pengon, por e inkurajon ndërtimin e paligjshëm mbi 4 mijë metra katrorë pronë publike, duke e arsyetuar si interes publik, kur në të vërtetë vlera po i rritet vetëm xhepave të tij dhe rrethit të ngushtë,” thuhet në reagim.
Në komunikatë theksohet se “prona publike nuk është valutë pazari” dhe se mbi-ndërtimi nuk mund të legalizohet përmes marrëveshjeve private.
PDK në Drenas ka kërkuar nga Prokuroria e Shtetit dhe institucionet e drejtësisë që të hetojnë deri në fund këto abuzime, duke paralajmëruar se çdo ditë që kalon pa hetime përbën rrezik për qytetarët dhe një fyerje për drejtësinë.
“Ky nuk është vetëm një problem politik, por një çështje themelore e mbrojtjes së pronës publike, të qytetarëve dhe të ardhmes së Drenasit,” thuhet në fund të reagimit.







