Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka marrë pjesë sonte në një tubim madhështor në komunën e Shtimes, ku qindra qytetarë shprehën përkrahjen e tyre për kandidatin e PDK-së për kryetar komune, Dr. Përparim Ramusën.

Në një atmosferë entuziaste, Krasniqi deklaroi se qytetarët e Shtimes mezi po presin 12 tetorin – ditën e ndryshimit dhe ditën kur, sipas tij, do të përfundojë qeverisja e keqe në këtë komunë.

“Një qeverisje që për katër vjet ka qenë për miq e jarana, por jo për qytetarët. Shtimja është gati t’ia kthejë vetes dinjitetin dhe zhvillimin, duke votuar masivisht Dr. Përparim Ramusën – mjekun që i ka shërbyer qytetarëve me përkushtim dhe që tani është gati t’i shërbejë Shtimes me përgjegjësi e vizion”, ka thënë ai.

Kreu i PDK-së ka theksuar gjithashtu se përveç kandidatit për kryetar, partia ka përgatitur edhe listën më të mirë për Kuvendin Komunal, ku përfshihen profesionistë të fushave të ndryshme – mjekë, arsimtarë, të rinj dhe gra të përgatitura që, sipas tij, përfaqësojnë çdo cep të komunës.

“Kjo është PDK – partia e zhvillimit, e përgjegjësisë dhe e dinjitetit. Dhe më 12 tetor, ma mirë për Shtimen është me Dr. Përparim Ramusën”, përfundoi Krasniqi.