Sekretari për organizim dhe zgjedhje i Partisë Demokratike të Kosovës, Betim Gjoshi, ka thënë se kryeministri Albin Kurti ka filluar të humbë durimin dhe se po prishet me secilin aleat të Kosovës, që “nga dita kur e kuptoi se ka rënie të madhe në elektorat dhe që kjo rënie nuk po din të ndalet”.
Gjoshi ka shkruar në Facebook se Albin Kurti, “ka filluar t’i shkruajë letra qortuese BE-së, pa arritur të dallojë se në çfarë gjuhe flitet me miq”.
“Duke tentuar që ta kompensojë humbjen e madhe të besimit të qytetarëve, edhe të atyre që i besuan me sy mbyllur, po krijon tensione dhe rreziqe të panevojshme me Aleatët e Republikës së Kosovës, të cilët ndihmuan në lirinë dhe pavarësinë e saj. Politika e tillë populiste dhe pa kokë e z. Kurtit, jo vetëm që do të krijojë frikë e panikë të panevojshme, por po rrezikon seriozisht raportet me SHBA-të dhe BE-në. Kjo politikë, me rezultatin e saj katastrofal, do të ishte dhurata më e mirë per Vuqiqin”, tha Gjoshi.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka radhitur një varg siç i ka quajtur ai vështirësish, lidhur me kërkesën e autoriteteve të Serbisë që Kosova të bashkëpunojë me OSBE-në për mbajtjen e zgjedhjeve të 3 prillit në komunat me shumicë serbe në Kosovë.
Në letrën e tij dërguar ambasadorit të BE-së në Kosovë, Tomáš Szunyog, Kurti ka vlerësuar se Beogradi në kërkesën e tij as që e përmend Qeverinë e Kosovës, por e quan atë “autoritet relevant qeverisës të Kosovës”. Sipas Kurtit, është për keqardhje që derisa Kosova punon me BE-në dhe vendet e Quint-it për të gjetur një zgjidhje të pranueshme ndërmjet dy qeverive, strukturat ilegale të Serbisë mundohen të organizojnë zgjedhje në Kosovë sikur të mos ekzistonte Qeveria e saj.
“Është për keqardhje që, derisa Kosova është duke punuar në mirëbesim me BE-në dhe Quint-in për të gjetur një zgjidhje reciprokisht të pranueshme ndërmjet qeverive tona, strukturat ilegale të Serbisë po mundohen të përgatisin dhe të organizojnë zgjedhjet në territorin tonë sikur të mos ekzistonte Qeveria jonë. Dhe janë duke e bërë këtë me financim nga Beogradi, natyrisht. Kjo mbase është arsyeja pse propozimi (në paragrafin e tij të parë) përcakton se zgjedhjet “do të mbahen”, në vend që të kërkojë që të mbahen, duke e marrë kështu si të mirëqenë kompetencën e Beogradit për të vendosur në lidhje me territorin e Kosovës”, thuhet ndër të tjera në letrën e Kurtit.







