Kryetari i PDK-së

PDK kritikon Kurtin për mungesë transparence

Kreu i PDK-së, Memli Krasniqi, ka zhvilluar sot takim me deputetët, kryesinë dhe kryetarët e degëve të PDK-së, me të cilët ka biseduar për temën e Asociacionit.

Krasniqi ka shprehur shqetësimin e tij për mungesë të transparencës nga ana e kryeministrit Albin Kurti sa i përket dialogut dhe draft-statutit të Asociacionit, për të cilin Krasniqi thotë se s’është ndarë asnjë detaj me deputetët e Kuvendit dhe me qytetarët.

Krasniqi ka thënë se deputetët e Kuvendit të Kosovës duhet të njoftohen zyrtarisht nga kryeministri i Kosovës për përmbajtjen e dokumentit që e ka pranuar, si dhe duhet ta dinë se deri në çfarë mase drafti i statutit të Asociacionit do ta ndryshojë rregullimin e brendshëm dhe karakterin unitar të shtetit.

Ai ka thënë se për PDK-në është i papranueshëm çfarëdolloj statuti, i cili e parasheh formimin e Asociacionit me kompetenca që bien ndesh me idealet themeluese të Republikës së Kosovës.

Lideri i opozitës ka njoftuar zyrtarët e PDK-së edhe  për takimin me të dërguarin e posaçëm për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak javën e kaluar, të cilët i njoftoi se i ka kërkuar atij që Bashkimi Evropian të heqë sa më parë sanksionet ndaj Kosovës.

Kreu i PDK-së ka thënë se në takimet e këtyre ditëve, ka potencuar në vazhdimësi se statuti i Asociacionit duhet të jetë në pajtim me Kushtetutën dhe ligjet e Republikës së Kosovës, të mos krijojë një nivel të ri të pushtetit dhe të mos ketë kompetenca ekzekutive.