PDK kërkon nga Qeveria që urgjentisht të aprovohen kërkesat e Policisë së Kosovës

Deputetja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu, i ka bërë thirrje Qeverisë, që urgjentisht sot të aprovohen kërkesat e Policisë së Kosovës për përfshirjen e policëve në paga shtesë prej 300 euro për periudhën korrik e gusht. Dhe po ashtu kompensimin e orëve shtesë.

“Kërkoj urgjentisht nga Qeveria e Kosovës që sot të aprovohen kërkesat e Policisë së Kosovës, pasi nesër çdo vendim është vonë.”, tha ajo.

Ajo thotë se Policisë së Kosovës i ka mbetur vetëm protesta si rrugë. Si pasojë e kësaj nëpërkëmbje, siç thotë Musliu, po ka edhe sulme ndaj policëve.

Ajo shtoi se PDK është mirënjohëse dhe falënderuese ndaj punëtorëve esencial që po luftojnë në vijën e parë të frontit me pandeminë COVID-19.

“Partia Demokratike është mirënjohëse dhe falënderuese për të gjthë ata djemë dhe vajza, që në kushte të rënda pandemie, mbi vetveten dhe shëndetin e familjet e tyre, prioritet e kanë shëndetin dhe sigurinë e qytetarëve.”, tha Musliu.

Lidhur me këtë çështje reagoi edhe kryeministri Hoti i cili tha se pajtohet me shqetësimin që e ngriti deputetja dhe se shumë shpejt do të aprovohen kërkesat e Policisë së Kosovës.