PDK: Kemi prova se ka persona që janë liruar nga Qendra e Studentëve me intervenime

Rasti tragjik që ndodhi disa ditë më parë në Qendrën e Studentevë, ku një 26 vjeçar nga Gjilani dyshohet se kreu vetëvrasje ngjalli reagime të shumta poltike.

Për opozitën është qartë e fajësojnë Qeverinë, por për partinë në pushtet, situata është krejt ndryshe. Një hetim i Prokurorisë, e ndoshta edhe i një komisioni parlamentar mund ta zbardh atë.

Valdete Idrizi, deputete nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), në një intervistë për InDoks ka thënë se PDK-ja ka fakte se nga Qendra e Studentëve tashmë e zhvendosur në karantinë, personat mund të dalin me anë të   lidhjeve poltike apo biznesore me njerëzit e pushtetit.

“ Ne i kemi disa prova që na kanë ardhur në PDK, për hir të konfidencialitetit nuk mundem me i tregu po janë disa që mundem me iniciale me i përmend. Për shembull, është një person me inciale SH.S që është vajza e biznesmenit që ka lidhje me Lëvizjen Vetëvendosje, me intervenimin e tij dhe lidhje kjo është liruar dhe nuk është futur në karantinë . Dikush ka ndryshuar nga mosha 35 ka thënë që është 70 vjeçare e të gjitha këto kanë lidhje me Lëvizjen Vetëvendosje me pushtetin, e në anën tjetër një djalë që ka pas problem shëndetësore është lënë brenda duke mos e marrë parasysh e si pasojë të neglizhencës ka ndodhur një humbje jetë”, ka thënë deputetja Idrizi.

Kurse biznesmeni nga Gjilani, pronari i kompanisë “Flora Rehau”, Nijazi Osmani, ka mohuar pretendimet e deputetes së PDK’së, Valdete Idrizi, se ai është mbështetës dhe financues i Lëvizjes Vetëvendosje dhe vajza e tij është privilegjuar duke mos u mbajtur në karantinë.

Në një bisedë me Gazetën Insajderi, biznesmeni Osmani, thotë se kjo është një shpifje totale dhe se nuk qëndrojnë fare ato që janë thënë.

“Çka është me rëndësi të kjo, është se, asgjë këtu nuk ka të vërtetë, kjo nuk e di prej çfarë burimi ka rrjedhur, por nuk është e vërtetë. Kjo është një shpifje totale që nuk ka të bëjë as me Vetëvendosjen, as me karantinë”.Absolutisht, absolutisht kurrë. Edhe çka është me rëndësi, janë ato instrumentet që mund të vërtetohet a e ka kaluar kufirin a jo, a ka qëndruar, a ka pasur të qëndroj, janë evidencat”, ka thënë Osmani.

Madje, Osmani ka shtuar  se do të nis procedurat gjyqësore ndaj deputetes së PDK’së, Valdete Idrizi.