PDK-ja në Gjilan zgjedh kryetar të akuzuarin për krim të organizuar

Dega e PDK-së në Gjilan ka zgjedhur për kryetar Qemajl Mustafën, i cili akuzohet për krim të organizuar për kohën sa ka qenë në krye të kësaj komune.

Sipas një njoftimi për media nga PDK-ja, kuvendi zgjedhor i degës në Gjilan është zhvilluar në frymë demokratike dhe konform procedurave demokratike për procesin zgjedhor.

Mustafa ka marrë 197 vota, ndërsa kandidati tjetër Flurim Arifi ka marrë 80 vota, sipas njoftimit. 7 vota ishin të pavlefshme.

Në muajin shkurt, Gjykata e Apelit përmes aktgjykimit e kishte obliguar Gjykatën Themelore të fillojë mbajtjen e gjykimit për Mustafën dhe të tjerët.

Kujtojmë se Mustafa kishte thënë se ngritja e aktakuzës ishte bërë me qëllim të eliminimit të tij nga skena politike.