PDK-ja është në mesin e partive që ka bllokuar nismën e ekzekutivit të Ramiz Lladrovcit, për t’i dhënë në shfrytëzim afatgjatë 27 prona komunale. Seanca e Kuvendit Komunal, në të cilën për vendimin votuan 10 asamblistë e 15 kundër, u përcoll edhe me përplasje verbale
Ndër vendimet e para që ekzekutivi i drejtuar nga Ramiz Lladrovci ia ka propozuar për miratim Kuvendit Komunal është ai për dhënien e pronave komunale në shfrytëzim afatgjatë për 99 vjet. Vendimi nuk kaloi, dhe kundër tij u pozicionuan edhe asamblistët e PDK-së, parti së cilës Lladrovci thotë se i përket.
Seanca që në rend dite pati këtë pikë, nisi me përplasje verbale.
“Sipas arsyetimit, ka shumë investitorë që kanë kërkuar këto prona. Le t’i kemi ne si asamble kërkesat e investitorëve ta dimë ne kush po i kërkon dhe më pas vendosim a m’i dhanë a jo”, ka deklaruar Egzona Tërdevci, asambliste e LVV-së.
Tërdevcit iu kundërpërgjigj kryetari Ramiz Lladrovci.
“Është edhe kërkesë e Ministrisë së Pushtetit Lokal për me paraqit listën edhe në web-faqe të komunës. Janë disa procedura, siç është procedura me negocim, me thirrje publike”, ka arsyetuar Lladrovci nismën e tij.
E pak para se të nisë diskutimi në pikën 8, që u referohet pronave që synohet t’u jepen personave fizikë e juridikë për 99 vjet, kryetari Lladrovci lëshoi sallën.
“Unë po kërkoj falje, sepse duhet të lëvizi për Tiranë dhe do të raportojë dikush tjetër”.
Me 10 vota për, 15 kundër e asnjë abstenim anëtarët e Kuvendit Komunal rrëzuan propozim-vendimin e sponsorizuar nga ekzekutivi, të cilin e udhëheq Lladrovci.
27 pronat përfshinin Zonën Kadastrale në Çikatovë të Re, Drenas, Komoran, Korroticë të Poshtme, atë të Epërme, Arllat e Polluzhë. /koha.net







