PDK-ja i jep mbështetje takimit në Uashington: Aty ku janë SHBA-të duhet të jetë Republika e Kosovës

Zëdhënësi i Partisë Demokratike të Kosovës, Avni Bytyçi, ka komentuar ftesën që SHBA-të ia kanë dërguar përfaqësuesve të Republikēs së Kosovës për datën 27 qershor në Washington.

Ai ka shkruar në faqen e tij në Facebook se aty ku janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duhet të jetë Republika e Kosovës dhe Qeveria ta përfaqësoj vendin në mënyrën më të mirë.

Deklarata e plotë e zëdhënësit të PDK, Avni Bytyçi:

Sa i përket ftesës për të vazhduar dialogun në Shtëpinë e Bardhë, qëndrimi i Partisë Demokratike të Kosovës është i njohur dhe është bërë i ditur në vazhdimësi nga kryetari z. Kadri Veseli. Nuk ka asnjë ndryshim qëndrimi deri sot. Aty ku janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duhet të jetë Republika e Kosovës dhe institucionet ta përfaqësojnë vendin në mënyrën më të mirë. E kanë për detyrë ti mbrojnë interesat e vendit dhe nuk duhet ti ikin përgjegjësië dhe bashkëpunimit me Amerikën sikurse veproi ish qeveria Kurti.