Partia Demokratike e Kosovës ka formuar nëndegët e saj në shumicën e kantoneve të Zvicrës, ku jeton mërgata shqiptare dhe në mes të muajit maj, ka vendosur ta mbajë Kuvendin Zgjedhor të PDK-së në Konfederatën e Zvicrës për të kompletuar organizimin politik të mërgatës në këtë shtet.

Pas më shumë se 12 vjetëve të pauzimit të aktivitetit politik në mërgatë, Partia Demokratike ka nisur riorganizimin e saj politik kudo ku jetojnë shqiptarët.

Udhëheqësi i Komisionit për Organizimin e PDK-së në Mërgatë, deputeti Elmi Reçica, po vazhdon punën në terren për të organizuar kuvende zgjedhore në secilin vend ku jetojnë shqiptarët në mërgatë.

Mbrëmë, Reçica ka marrë pjesë në themelimin e këshillit nismëtar të nëndegës së PDK-së për Kantonin e Bernit në Zvicër.

“Në këtë mbledhje, ku të pranishëm ishin bashkëveprimtarë, intelektualë e aktivistë të devotshëm të PDK-së, kryetar u zgjodh Orhan Memishi, ndërsa nënkryetar Adnan Gashi. Po ashtu u zgjodh kryesia prej 7 anëtarëve. Partia Demokratike e Kosovës po vazhdon që të themelojë nëndegët e saj në të gjitha qytetet ku jeton mërgata jonë. Jemi të përkushtuar që bashkërisht të punojmë për të ardhmen e vendit tonë”, ka bërë të ditur Reçica në faqen e tij në Facebook.