PDK-ja e AAK-ja paralajmërojnë një opozitë të fuqishme

PDK-ja u radhit si partia e tretë më e votuar, kurse AAK-ja pas PDK-së doli si partia e katërt.

Dy partitë që ishin themeltare të qeverisë së kaluar, PDK-ja e AAK-ja, pas certifikimit të rezultateve nga KQZ-ja me numrin e votave që kanë marrë del se do të jenë pjesë e opozitës në Kuvendin e Kosovës.

PDK-ja me 25 deputetë e AAK-ja me 14 deputetë, pavarësisht rënies nga pushteti, zotohen se do ta bëjnë një opozitë të fuqishme e konstruktive, shkruan sot gazeta “Zëri”.

Partia Demokratike e Kosovës në krye me Kadri Veselin dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës në krye me Ramush Haradinajn nga partneriteti në qeverisjen e kaluar me koalicionin PAN tash ndarazi do të jenë pjesë e opozitës në Parlamentin e Republikës së Kosovës në legjislaturën e shtatë, shkruan tutje “Zëri”.

Në bazë të rezultateve zyrtare të KQZ-së, PDK-ja u radhit si partia e tretë më e votuar, pas Lëvizjes Vetëvendosje e LDK-së, me gjithsej 178 mijë e 645 vota ose 21,163%. Ndërsa AAK-ja pas PDK-së doli si partia e katërt më e votuar me 96 mijë e 883 vota ose 11,47%.

Mirëpo, pavarësisht rënies nga pushteti përfaqësues të këtyre dy partive janë zotuar se do ta bëjnë një opozitë të fuqishme e konstruktive në Kuvendin e Kosovës.

loading…