PDK inicion debat parlamentar për 100 ditëshin e qeverisë Kurti

Partia Demokratike e Kosovës ka iniciuar procedurat që javën e ardhshme të organizohet debat parlamentar për raportin e 100 ditëshit të Qeverisë Kurti

Këtë e bëri të ditur shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, në një konferencë për media.

Tahiri njoftoi se PDK ka inicuar procedurat për organizimin e këtij debati parlamentar javën e ardhshme.

“Raporti i 100 ditëshit është jashtëzakonisht i rëndësishëm për faktin që në këtë 100 ditësh vendosen bazat e qeverisjes 4-vjeçare. Në këtë 100 ditësh qeveria na tregon se cila do të jetë agjenda e saj në 4 vitet e ardhshme, cilat iniciativa fillojnë, çka do të zhvillohet gjatë 4 viteve. Ju jeni dëshmitarë edhe të sjelljes me vonesë të programit të Qeverisë së Republikës së Kosovës.”, deklaroi Tahiri.

Ai tha se është hera e parë që në traditën parlamentare të Kosovës, një parti opozitare të ftojë debat parlamentare për 100 ditëshin e Qeverisë, e jo Qeveria.

“Ne kemi pritë deri sot sepse kemi besuar që është një vonesë, por prapë se prapë qeveria do të procedojë me këtë raport të 100 ditëshit. Por, kur e pamë që këta po mundohen të shmangen nga çfarëdo debati, ne tashmë kemi proceduar në administratën e kuvendit që në javën e ardhshme të vendoset debat parlamentar për 100 ditëshin e kësaj qeverie”, ka deklaruar Tahiri.