Kryeministri Avdullah Hoti sot tha se në takimin e nesërm në Bruksel do të dialogohet për marrëveshjen përfundimtare dhe njohjen reciproke me Serbinë.
Ndaj kësaj deklarate të kryeministrit ka reaguar deputetja e PDK-së, Valdete Idrizi, e cila përmes një postimi në Facebook thotë se nuk ka marrëveshje të zbatueshme e të qëndrueshme, duke mohuar krimet e bëra ndaj shqiptarëve e duke u cenuar integriteti territorial i shtetit.
Ajo pyet kryeministrin Hoti, a do të sjell në tavolinë atë çfarë po bën Serbia në veri të Kosovës, dhe në Luginë, ndërsa ka shprehur brengën e saj për siç thotë kolonizimin që po ndodhë në Veri të Kosovës me ndërtimit të qindra shtëpive dhe ndërtesave kolektive banesore vetëm për serbët.
Postimi i saj:
Kryeministër, a do të sjellni në tavolinë atë çfarë po bën Serbia në veri të Kosovës, dhe në Luginë? Diskriminimin që po iu bëhet shqiptarëve në Veri? Kolonizimi që po ndodhë në Veri të Kosovës me ndërtimit të qindra shtëpive dhe ndërtesave kolektive banesore vetëm për serbet, dhe pamundësimit të ndërtimit e rindërtimit të shtëpitë shqiptarëve, në tokat e veta?
Sa e sa herë banorët shqiptarë në Mitrovicë të Veriut iu kanë alarmuar? Edhe në parlament kryeministër ju kemi alarmu për këtë. Duhet të ndalet kjo strategji e rrezikshme e Serbisë!
Nuk bën të heshtni karshi këtij spastrimi etnik të shqiptarëve!
Strategjia e Serbisë për spastrimin etnik të shqiptarëve në Luginë edhe sot po vazhdon kryeministër. Pas pasivizimit të adresave të shqiptarëve tash fillu edhe me pronat e tyre, drejt deportimit dhe zhbërjen e plotë të shqiptarëve nga Medvegja.
Këto po ndodhin edhe sot kryeministër, nuk guxoni të heshtni, as ju as BE-ja!
Duhet të kushtëzoni dialogun me ndalimin e kësaj lufte të heshtur të Serbisë.
Nuk ka marrëveshje të zbatueshme e të qëndrueshme, duke mohuar krimet e bëra ndaj shqiptarëve, duke iu cenuar të drejtat themelore shqiptarëve edhe sot e nëpërmes Institucioneve, duke iu cenuar integriteti territorial i shtetit, resurset e veta!







