PDK i reagon qeverisë pas lajmit për “Kosovën e Re”: Kjo është goditja e radhës ndaj SHBA’së

Partia Demokratike e Kosovës ka reaguar pas lajmit se kompania Contour Global është tërhequr nga projekti për ndërtimin e termocentralit ‘Kosova e Re’.

Përmes një komunikate, PDK thotë se kjo është humbje e madhe për vendin si dhe një goditje e madhe për ekonominë.

“Kjo është një goditje e madhe për ekonominë, fuqinë e ardhshme energjetike të Kosovës dhe marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilat sot janë në stadin më të keq të tyre. Sjellja e Qeverisë Kurti në raport me njërin prej investimeve më të mëdha amerikane në vendin tonë është e papranueshme dhe po tregon që në javët e para për drejtimin e mbrapshtë që ka marrë”, shkruhet në reagim.

“Fillimisht u refuzua kërkesa e qeverisë amerikane për heqjen e taksës me gjithë vendosjen e bllokadës për fondet amerikane dhe paralajmërimet për largimin e trupave amerikane nga Kosova. Ky kryeministër dhe kjo qeveri VV – LDK, po deklarohet publikisht kundër investimeve dhe interesave amerikane në vendin tonë. Mungesa e vullnetit politik për ta shtyrë përpara këtë projekt të madh investimi, flet edhe për mungesën e vizionit të qeverisë së tanishme për të përkrahur investimet e huaja në Kosovë. Kompania amerikane “Contour Global” kishte planifikuar të investonte 1.3 miliard për ndërtimin e termocentralit të ri gjatë pesë viteve të ardhshme, si dhe do të hapeshin mijëra vende pune dhe shumë angazhim për kompani lokale kosovare”, kanë deklaruar nga Partia Demokratike.