PDK i përgjigjet Konjufcës për koalicion: Është herët të flasim për këtë temë

Zëdhënësi i PDK-së, Avni Bytyçi ka reaguar pas deklaratës së anëtarit të kryesisë së LVV-së, Glauk Konjufca rreth koalicionit me këtë parti.

Bytyçi ka thënë se është herët të flitet për koalicione.

“Glauku sapo e tha, Lëvizja Vetëvendosje nuk e përjashton koalicionin me Partinë Demokratike të Kosovës. Ngadalë por sigurt mashtrimet po bien. Edhe pse duhet ta pranojmë, është herët që të flasim për këtë temë. Por, Partia Demokratike e Kosovës është konstantja në vendin tonë.  Ne po hyjmë në garë pa obligime ndaj askujt dhe si argument kemi angazhimin e mirë opozitar që e dëshmuam”, ka shkruar Bytyçi në Facebook.

Më tej, ai ka thënë se “është mëkat që Kadri Veseli nuk është prezent për të parë se doli ashtu siç e tha për ‘mashtrimin e madh’ të 6 Tetorit”.

“Partia Demokratik e Kosovës, është në garë jo vetëm për të rikthyer besimin që kishim, por, për të fituar një betejë ndaj një mashtrimi të madh politik që ka filluar nga viti 2014, e që la Kosovën shumë mbrapa”, shtoi ai.