PDK

PDK homazhe në Prekaz: Nëntori, muaj i rëndësishëm për Shqipërinë e Kosovën

Përfaqësues të Partisë Demokratike të Kosovës si dhe të Komunës së Skenderajt kanë bërë homazhe në Memorialin Adem Jashari në Prekaz në nder të festës së 28 Nëntorit.

Nënkryetari i kësaj partie, Uran Ismaili, i shoqëruar nga kryetari i Skenderajt, Fadil Nura, tha se nëntori është një muaj i rëndësishëm sepse në të ngërthehen shumë festa të rëndësishme për shqiptarët.

Ai tha se përveç se në Shqipëri, muaji i nëntori jehoi edhe në Kosovë me daljen e parë publike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“Jemi këtu për nderime në memorialin Adem Jashari në nëntorin e spikatur të shqiptarëve që është po ashtu ditëlindja e komandantit legjendar Adem Jashari që tregon edhe fati e vulosi që të ishte një ndër kolosët shqiptarë. Nëntori është një muaj i rëndësishëm i shqiptarëve sepse filloi në Krujën e Skënderbeut dhe me shekuj më pastaj u rivendos në Vlorë. Ishte një hap i madh kundër planeve anti-shqiptare të asaj kohe dhe një ogur i mirë për të gjithë shqiptarët që përpjekje më në fund po japin rezultat dhe se Shqipëria do të jetë e pavarur. Nëntori po ashtu jehoi në Kosovë edhe me daljen e parë publike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe kështu u mbajt gjallë gjithnjë zjarri i atdhedashurisë në shekuj të ndryshëm deri në çlirimin e Shqipërisë, por edhe deri në pavarësinë e Kosovës”, tha Ismaili.

Në anën tjetër, kryetari i Komunës së Skenderajt, Fadil Nura, tha se festat e nëntorit ngërthejnë disa ngjarje që lidhen me lirinë e të gjithë shqiptarëve, teksa dalja publike e UÇK-së vetëm se ia shtoi rëndësinë festës së 28 Nëntorit.

“Festa e nëntorit ngërthen një sërë ngjarjes që personifikojnë sakrificën për lirinë e të gjithë shqiptarëve, sidomos lirinë e shqiptarëve të Kosovës. Kjo në vetvete përbën edhe ngjarje të tjera që kanë vazhduar edhe më pas siç është ditëlindja e komandantit legjendar Adem Jashari dhe në të njëjtën kohë dalja publike e UÇK-së që ia shton edhe më tej madhështinë kësaj feste që e festojnë të gjithë shqiptarët”, përfundoi Nura.