PDK dorëzohet për vendin e parë, në zgjedhje garon për pozitën e dytë!

Deputetja e PDK’së Blerta Deliu thotë se një bashkëpunim me Nismën Socialdemokrate në zgjedhjet e ardhshme duhet të vendosë kryesia e partisë.

Zyrtarja e Partisë Demokratike të Kosovës tha se PDK’ja absolutisht do të dalë e dyta në zgjedhje.

Zgjedhjet e reja parlamentare që pritet të mbahen së shpejti do të sjellin matematikë të re të numrave në legjislaturën që do të formohet në Kuvend.

PDK’ja në garën zgjedhore do të futet pa kreun e partisë, Kadri Veseli i cili ndodhet në Hagë si i dyshuar për krime lufte.

Deputetja e kësaj partie Blerta Deliu tha për Express se pozicioni i dytë për PDK’në as që do të diskutohet.

“Unë besoj që as që diskutohet pozicioni i dytë, ne po e bëjmë garën që të kemi sukses dhe programi ynë të ketë gjithëpërfshirje të qytetarëve të Kosovës”, ka thënë ajo.

Kryetari i VV’së Albin Kurti sot në fjalimin e tij në Këshillin e Përgjithshëm të partisë tha se Vetëvendosje do të marrë 2/3 e votave dhe mbi 65 deputetë.

Deklaratë të ngjashme ka dhënë edhe zyrtari tjetër i VV’së, Besnik Bislimi i cili ishte shprehur i bindur se partia e tij do të marrë mbi 61 deputetë.

E pyetur nëse mendon që Vetëvendosje do të fitojë mbi 61 mandate në legjislaturën e re, deputetja Blerta Deliu ka refuzuar të komentojë duke thënë se nuk ka relevancë me diskutu mbi subjektet tjera.

“Me të thënë të drejtën as nuk e kisha komentu. Krejt çka ne jemi duke bërë që është jemi duke u angazhu në listën tonë dhe në kampanjën tonë dhe çdo subjekt tjetër besoj që nuk ka relevancë me u diskutu”, tha ajo.

Zyrtarja e partisë demokratike tha poashtu se sa i përket koalicionit të mundshëm me Nismën Socialdemokrate, i mbetet kryesisë që të vendosë për bashkëpunim me partitë tjera.

“Mendoj që nëse ka dakordësi dhe nëse pjeken kushtet ne e kemi thanë qëndrimin tonë për ne është e rëndësishme me qenë listë kualitetive. Kurse sa i përket lidhjes së koalicioneve i mbetet kryesisë së partisë të vendosin për çështjen e bashkëpunimit dhe përafrimit me subjektet tjera politike”, u shpreh ajo.

Tutje deputetja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e PDK’së tha se kjo parti ka treguar konsistencë në qëndrime duke votuar ligje që kanë qenë në dobi për qytetarët e Kosovës dhe se në zgjedhje do të futen me një konsolidim të mirë partiak.

“Absolutisht ne besojmë fuqishëm sepse jemi mirë të konsoliduar dhe besoj që kemi pasë konsistencë në qëndrime shto këtu edhe argumentin që kemi qenë faktor kryesor për miratimin e ligjeve që kanë prekë interesin qytetar gjatë këtij viti. PDK ka pasur rol proaktiv në qasjen e saj duke qenë edhe opozitë dhe duke votuar projektligjin për Riëmëkëmbjen Ekonomike si pjesën më të ndjeshme që i hap rrugë përkrahjes qytetare”, tha Deliu-Kodra.

Zgjedhjet e reja pritet të shpallen nga u.d e Presidentit, Vjosa Osmani posa të pranojë Aktgjykimin e plotë të Gjykatës Kushtetuese për këtë çështje.

Zgjedhet për Kuvendin e Kosovës pritet të mbahen 40 ditë nga dita e shpallje që me shumë gjasë do të jetë fundi i muajit janar ose fillimi i muajit shkurt.