PDK akuzon LDK për tentim vjedhje të votave në Miradi të Ulët

Një tjetër manipulim me vota në Fushë Kosovë kanë tentuar komisionarët dhe vëzhguesit e LDK-së.

Në Qendrën e Votimit me numër 0904E në Miradi të Ulët është tentuar që publikisht të ndikohet në votimin e një qytetareje e cila e ka votuar në vendvotim të gabuar, njofton Dega e PDK-së në Fushë Kosovë përmes një komunikate për media.

Sipas PDK-së, komisionarët dhe vëzhguesit e LDK-së kanë tentuar që t’i marrin fletëvotimin dhe t’i japin një tjetër, me qëllim që ta manipulojnë, por votuesja nuk ka pranuar.

“Qytetarët janë ankuar se qytetarja i është nënshtruar presionit të komisionarëve dhe të vëzhguesve të LDK-së. Me ndërhyrjen e vëzhguesve të partive politike dhe kryesuesit, u pengua manipulimi i votës”, bën të ditur PDK.

Ndërsa një tjetër manipulim, sipas Degës së PDK-së në Fushë Kosovë, ka ndodhur në qendrën e votimit me numër 0901X/01R, në SHFMU “Mihal Grameno” në Fushë Kosovë, me ç’rast te kutia e votimit është hasur kartela e Lëvizjes VV gjë që bie ndesh me rregullat për zgjedhjet.

“Pasi qytetarja ka gjetur këtë kartelë, ka lajmëruar komisionarët dhe vëzhguesit, por një nga komisionarët që dyshohet të jetë i VV, në vend që të raportojë dhe ta shqyrtojë këtë rast, ai ia merr kartelën dhe e shqyen”, njofton Dega e PDK-së në Fushë Kosovë.

Për më tepër, bëhet e ditur se qytetarja ka raportuar për këtë rast edhe tek organet tjera kompetente.

Dega e PDK-së në Fushë Kosovë kërkon marrjen e masave për parandalimin e parregullsive në qendrat e votimit, të cilat e dëmtojnë procesin demokratik, dhe të mbrohet vota dhe vullneti i lirë i qytetarëve.

loading…