Pasuria marramendëse e presidentes | Vjosa Osmani bashkë me Zotëriun e Parë e mbërrijnë milionëshin

Agjencioni për Parandalimin e Korrupsionit (APK) ka publikuar deklarimet e pasurive të zyrtarëve publikë. Dhe, pasuria e liderëve më të lartë të shtetit del të jetë… e lakmueshme. Presidentja Osmani ka një pasuri që në përgjithësi i shkon mbi një milion euro.

Viti 2023 ishte edhe më i suksesshëm financiarisht për presidenten e Kosovës.

Në seksionin e Pasurisë së Paluajtshme, ajo ka deklaruar gjashtë prona në pronësi të saj dhe Prindon Sadriut dhe të cilat e mbërrijnë vlerën e përgjithshme të 970 mijë e 760 eurove.

Pasuria më e re është një “Banim në varg” i cili është blerë në vitin 2023 dhe që vlen 520 mijë euro dhe është në emër të Zotëriut të Parë, z. Prindon Sadriu. Nga mënyra se si është deklaruar kjo pronë, Nacionale nuk ka arritur ta kuptojë se ku saktësisht ndodhet.

“Tek pronat e paluajtshme, prona në Marigona Hill dhe toka në Lagja e Gjelbër nuk janë ende në pronësi të deklaruesit e as të bashkëshortit sepse ende nuk janë paguar e as ndërtuar në tërësi,” – ka thënë presidentja e vendit.

Siç është deklaruar në APK, ky banim në varg është blerë nga shitja e një shtëpie në Australi që isthe në pronësi të z. Sadriu, shitja e shtëpisë së prindërve, kursime dhe nga hua familjare.

Ajo ka treguar edhe për një banim tjetër në varg, në lagjen Marigona, dhe e cila i vlen 170 mijë euro.

Te Pasuria e luajtshme është deklaruar vetëm një veturë Mercedes Benz e blerë në vitin 2022 dhe që ka vlerë 12 mijë euro.