Pasi u shkarkua nga detyra e sekretarit të Përgjithshëm të MI-së, Izedin Bytyqi bëhet drejtor (Dokument)

Pas shkarkimit nga detyra e sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Infrastrukturës, Izedin Bytyqi është emëruar drejtor në një departament të kësaj ministrie.

Ballkani.info ka siguruar vendimin për shkarkimin nga pozita të sekretarit të MI-së, të cilin e ka nënshkruar ministri Abrashi.

Bazuar në vendim, ministri Abrashi ka obliguar Zyrën e Sekretarit të Përgjithshëm që sekretari i shkarkuar të sistemohet në pozitën “drejtor departamenti” në kuadër të Ministrisë së Infrastrukturës.

“Obligohet Zyra e Sekretarit të Përgjithshëm të MI-së, që të bëjë sistemimin e z. Bytyqi në pozitën Drejtor i Departamentit në bazë të Rregullores (QRK) nr. 16/2015 për Organizimin e Brendshëm dhe Sistemimin e Vendeve të Punës në Ministrinë e Infrastrukturës”, thekson pika 2 e vendimit.

Vendimi ka hyrë në fuqi në ditën e nënshkrimit, thotë një pikë tjetër e dokumentit të nënshkruar nga ministri.

I emëruar në këtë pozitë më 20 shkurt të vitit të kaluar, Bytyqi është shkarkuar sot me vendim të ministrit Arban Abrashi.

Izedin Bytyqi është i afërt me Besnik Mustafën, djalin e Isa Mustafës, kryetarit në largim të Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Para se të emërohej sekretar në MI, Bytyqi ka mbajtur pozitën e njëjtë edhe në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale në kohën kur ministria udhëhiqej nga Arban Abrashi.

Asokohe, si sekretar në Ministrinë e Punës, Bytyqi dyshohet se nga kjo pozitë kishte ndikuar në punësimin e resë së Isa Mustafës.

Edita Bajrami, gruaja e Besnikut, djalit të ish-kryeministrit Isa Mustafa ishte angazhuar si eksperte për të ndihmuar Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale në rishikimin e Strategjisë Sektoriale.