Pasi u kritikua ashpër për letrën e NATO-s, Kurti tenton të arsyetohet duke mos thënë asgjë të re!

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti përmes një postimi në Facebook ka thënë se nuk është e rastësishme që letërkëmbimin Thaçi-Rasmussen e ka marrë nga një zyrtar i NATO-s dhe jo nga presidenti.

Kurti ka marrë kritika të ashpra për publikimin e letërkëmbimin e vitit 2013 ndërmjet ish-kryeministrit, Hashim Thaçi dhe ish-sekretarit të NATO-s Andres Fogh Rasmussen, në të cilën Thaçi garantonte që Forca e Sigurisë së Kosovës nuk do të shkojë në veri të vendit pa pajtimin e KFOR-it.

Ai thotë se prania e NATO-s në Kosovë është e pazëvendësueshme.

“1. Para tre muajve isha në ndërrimin e komandës së KFOR-it ku Gjeneral Michele Risi mori komandën. Sot e mirëprita në Kryeministri. E kam thënë atëherë, e them tash dhe do të them përherë se prania e NATO-s në Kosovë është e pazëvendësueshme gjersa rajoni është ende jostabil dhe përderisa përballemi me një shtet që ka pretendime territoriale ndaj nesh”, ka shkruar Kurti.

Tutje kryeministri ka shkruar se Thaçi e bëri atë zotim pikërisht në ditën kur nënshkroi “Zajednicën”.

“2. NATO nuk ka nevojë për shkëmbime të fshehta me popullin e Kosovës sepse ne e kemi pritur me lule e me përqafime. Nuk është e rastësishme që nga zyrtari i NATO-s unë e mora letërkëmbimin dhe jo nga Presidenti ynë. Çështja është pse Presidenti e bëri atë zotim mu në ditën kur edhe nënshkroi ‘Zajednicën’ me Daçiqin në Bruksel? Pse nuk e njoftoi askënd, dhe a veproi Presidenti në përputhje me ligjin dhe Kushtetutën?”, ka shkruar Kurti.

Ai insiston se reagimi i tij ka ardhur për shkak të mos transparencës së Thaçit.

“3. Ajo që ne kemi bërë është publikimi i një letre e cila ishte mbajtur e fshehur nga publiku. Me sa kam parë, askush nuk na ka kritikuar se përse e kemi bërë transparente një letër të mbajtur fshehtë, e cila nuk ka qenë dokument i klasifikuar, por kritikuan opinionin ligjor nga zyra ime se pse ka rekomanduar shkarkimin e presidentit”, u shpreh Kurti.

Tutje ai thotë se institucionet duhet të respektojnë Kushtetutën, dhe se gjithmonë duhet të ketë kritika.

“4. Ne jemi shoqëri e hapur që po ndërtojmë demokraci të qëndrueshme me punën e një qeverie progresive. Do të ketë dhe duhet të ketë debate e kritika e mospajtime çdoherë por duhet të ndërtojmë shtetin e së drejtës. Institucionet duhet të respektojnë e zbatojnë ligjet dhe Kushtetutën”, ka shkruar Kurti.