Pasi u dënua me burgim të përjetshëm vrasësi, nëna e Donjeta Pajazitit ndjehet e lehtësuar (Video)

Gjykata Themelore në Pejë ka dënuar me burgim të përjetshëm Naser Pajazitin për vrasjen e kushërirës së tij, Donjeta Pajaziti. Vendimi u mor pasi lënda u kthye në rigjykim nga Gjykata e Apelit.

Ky vendim është mirëpritur nga familjarët e Donjeta Pajazitit. Nëna e saj thotë se tash e tutje do të ndjehet më e lehtësuar.

“Rasti është i rëndë. Por pas këtij vendimi të gjykatës ndjehemi më të lehtësuar. Gjykata mori një vendim të drejtë dhe ai është dënuar siç e ka merituar”, shprehet për RTV Dukagjinin, nëna e Donjeta Pajazitit.

Edhe vëllai i Donjetës, Shkëlqimi, thotë se vendimi i gjykatës ishte i drejtë. Ai thotë se ky vendim është dashur të merret më herët.

“Unë po ndjehem shumë mirë sepse u dënua një persona që e ka krye një vepër. Kur gjykata ka shpallë vendimin e parë, kemi pasur vuajtje të mëdha. Tash pak a shumë na është lehtësuar vuajtja pas këtij vendimi të ri”, deklaroi Shkëlqim Pajazitaj.

Gjykata deri të ky vendim i ri erdhi pasi u paraqitën prova të reja që kanë munguar më herët.

Naser Pajazitaj më herët ishte liruar nga akuza për këtë vrasje, por Gjykata e Apelit më pas kishte kthyer lëndën për rigjykim./RTV Dukagjini/Telegrafi/