Pasi tha se u kërcënua nga një formacion fantazmë ushtarak, Kurti tash thotë se Putini po përgatit një grusht-shtet në Kosovë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka dhënë një deklaratë paralajmëruese se Rusia po përgatitet për një grusht-shtet në Kosovë. Këtë deklarim e ka bërë ai gjatë një bashkëbisedimi me disa profesorë e studentë të Universitetit të Harvardit në Amerikë. Kurti nuk ka dhënë detaje për këtë deklaratë.

Një deklaratë e fortë është dhënë nga kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti. Teksa ka folur për një fokusim të fuqive të mëdha në Ballkan dhe në procese të tjera, Kurti ka deklaruar se sheh një përpjekje të Rusisë, me saktë të Presidentit të saj, Vladimir Putin për një grusht-shtet në Kosovë. Këtë ai e ka dhënë në bashkëbisedim me studentë dhe profesorë të Universitetit të Harvardit, dje pasdite.

“Ne kemi pasur në tri vitet e fundit, dy grusht-shtete të dështuara, të organizuara nga Presidenti Putin, një në Maqedoninë Veriore dhe një tjetër në Mal të Zi. Të dyja dështuan. Dhe tash ata e duan raundin e tretë, ose në Bosnjë dhe Hercegovinë ose në Republikën e Kosovës. Prandaj është e rëndësishme të kuptojmë që Presidenti Putin po përpiqet të shfrytëzojë hapësirën e re që ai mendon se e ka me faktin se tash SHBA-të janë më shumë të preokupuara me ngritjen e Kinës”, ka deklaruar kryeministri kosovar.

Ai nuk ka dhënë detaje nëse i ka të bazuara këto deklarata, nëse ka parë ndonjë shenjë apo ka marrë paralajmërim nga autoritetet e sigurisë në Kosovë.

Kryeministri në këtë bashkëbisedim ka folur për një nevojë të angazhimit më të madh dhe thelbësor të SHBA-ve dhe BE-së në Ballkan.

Kryeministri kosovar ka kritikuar qasjen e emisarit të presidentit Donald Trump, Richar Grenell rreth dialogut. Sipas tij, ai thjesht po dëshiron firma në marrëveshje dhe pa e parë se çfarë duhet të jetë ajo marrëveshje apo pasur në konsideratë faktet historike.

Kryetari i VV-së është rrezuar nga partneri i tij në qeverisje, LDK dhe partia e tij ka kontestuar një dekret të Presidentit Hashim Thaçi për ta mandatuar Avdullah Hotin për kryeministër.

Ai ka dhënë shenja se përkrah protestat para Qeverisë, edhe në kohë pandemie, nëse vendimi i Kushtetueses është në kundërshtim me atë se çfarë pretendojnë ata.

Shenjat e kuqe për protestues nga aktivistë të partisë se tij tashmë janë bërë në shesh dhe një provë u realizua.

Ndërkohë sot ai ka publikuar një komunikatë që thuhet se është lëshuar nga një organizata ‘Garda Vullnetare Shqiptare’ e që thotë se e kërcënon VV-në dhe Gjykatën Kushtetuese.