Pasi e mposhti në zgjedhje, Bali Muharremaj tash e punëson Sali Asllanajn e LDK-së

Më 31 janar të këtij viti, Drejtoria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale në Suharekë kishte hapur konkurs pune për dy mjek/e të praktikës së përgjithshme në QKMF-Suharekë, në të cilin kishte konkurruar edhe ish-kryetari i Komunës së Suharekës dhe ish kryetari i degës së LDK-së, Sali Asllanaj.

Pas procedurave për rekrutimin e dy mjekëve, nga vlerësimet e komisionit në testin me shkrim dhe atë me gojë, sipas DSHMS-së, kandidatët që janë pranuar janë Dr. Sali Asllanaj dhe Dr.Ilir Sopaj.

Ndryshe Sali Asllanaj ka qenë tre mandate kryetar i Komunës së Suharekës, deputet i Kuvendit të Kosovës, kryetar i degës së LDK-së në Suharekë, anëtarë i kryesisë së LDK-së, shkruan SuharekaOnline.

Pas mandatit të tretë në pozitën e kryetarit të komunës, Asllanaj ia mësyu edhe mandatit të katërt, ku në zgjedhjet lokale të vitit 2017 humbi garën nga Bali Muharremaj. Muharremaj tashmë e ka nisur punën e kryetarit të Suharekës për mandatin e dytë. Ai e fitoi garën pa balotazh. /Ballkani.info/