“A e dini se çfarë është dhimbja? Një herë u dashurova me një djalë, por ai nuk më donte, mendova se do të vdisja nga dhimbja dhe trishtimi. Isha gabim. Dhimbja e vërtetë është të shohësh nënën të vdesë para syve të tu.”

Kjo është historia tragjike që Katia, një vajzë 16-vjeçare nga Mariupoli, i rrëfen Vira Khvust, një vullnetareje që kujdeset për djemtë dhe fëmijët e evakuuar nga qyteti i Mariupol-it, një nga më të prekurit në luftë.

Vira dëgjoi Katian të fliste për tri orë, pas arratisjes së saj nga Mariupoli me vëllain e saj pesëvjeçar. Më pas, vullnetarja donte të ndante historinë e 16-vjeçares në rrjetet sociale, si dëshmi e luftës në Ukrainë.

Rrëfimi i plotë
A e dini se çfarë është dhimbja? Një herë u dashurova me një djalë, por ai nuk më donte, mendova se do të vdisja nga dhimbja dhe trishtimi. Isha gabim. Dhimbja e vërtetë është të shohësh nënën të vdesë para syve të tu. Vëllai im i vogël shkonte tek ajo dhe i thoshte: “Mami mos fli, çohu”. Nuk do të mund ta vizitojmë kurrë në varreza. Ajo mbeti në një bodrum të errët dhe të ftohtë.

Ne vetëm shkonim në banjo, flinim, hanim atë pak ushqim që kishte mbetur, të gjithë në të njëjtin bodrum.

Mami rezistoi deri në fund, mirëpo tri ditë para evakuimit, ajo vdiq. I thashë vëllait të vogël se e kishte zënë gjumi dhe nuk duhej ta zgjonte. Por unë mendoj se ai kuptoi gjithçka. Nëna ime qau shumë. Kufomat kundërmojnë shumë. Ata ishin kudo. I mbulova sytë vëllait me shallin e mamasë që të mos shihte.

Unë nuk besoj më në Zot, nëse do të kishte, nuk do të vuanim aq shumë. Nëna ime nuk ka bërë kurrë asgjë të gabuar, kurrë! Mami shkonte në kishë dhe rrëfehej shpesh, dhe unë po ashtu. Perëndia e mori atë nga ne.

E urrej Rusinë. Daja im është atje. A e dini se çfarë më tha në telefon? “Katia? Cila Katia? Nuk të njoh, vajzë e vogël. Çfarë lufte? Cila Katia?”. Më pas më dërgoi një mesazh nga një numër tjetër: “Katia, mos më shkruani. Për mua dhe familjen time është e rrezikshme. Ne nuk mund ta kthejmë nënën tuaj në jetë.” I urrej, ajo ishte motra e tij, si ka mundësi të flasë ashtu?!

Mendoj se do të kthehem në Mariupol. Do të jetoj në të njëjtin vend, do të zbres për të çuar lule në bodrumin e shtëpisë së re.

Një tjetër gjë e frikshme është kur foshnjat qajnë, pasi është e rrezikshme që t’i dëgjojnë. Këta monstra gjetën njerëz të fshehur në bodrume dhe i vranë. Ata që mbijetuan, thonë se ushtarët rusë përdhunonin fëmijë, plaka, madje edhe kufoma.

Nëse Zoti ekziston pse e lejon ai këtë? Nuk dua të jetoj më. Mendoj se do të na ndajnë, ndoshta nuk do ta shoh më vëllain. Pse?! Sepse Putini donte të na shpëtonte?! Jetonim aq mirë, madje blemë makinën. Ata kanë djegur edhe makinën. Shtëpia jonë është zhdukur. Unë dua të vdes, por nuk mundem…

Përqafojini fëmijët tuaj! Përndryshe, kur të largoheni, ata nuk do ta mbajnë mend erën tuaj. Nëse do të jetoj dhe do të kem fëmijë, do t’i përqafoj gjithë ditën.