Pasdite dihet rezultati për të parin e Gjilanit

Nënkryetari i Komunës së Gjilanit,  Arbër Ismajli, ka thënë se sot pasdite pritet të dalë rezultati i analizës së koronavirusit së kryetarit të Gjilanit, Lutfi Haziri, pasi është vetizoluar ku dyshon se është prekur me Covid 19.

“ Z. Haziri është në gjendje të mirë shëndetësore, ai është vetizoluar pasi  ishte në një dasmë ku aty ka rezultuar se një person është prekur me Covid 19.  Me informacionet që kam besoj se sot do të dalin rezultatet e analizës së koronavirusit së kryetarit”, tha ai.

Ismajli deklaroi se nuk ka nevojë të ketë panik tek qytetarët e Gjilanit pasi gjendja është nën kontroll.

“Ne jemi duke dalë në teren vazhdimisht. Në Komunë me staf të plotë janë duke punuar tri Drejtori, ajo e Inspekcionit, Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale si dhe ajo e Emergjencës. Ndërsa drejtorit tjera janë duke punuar me staf të shkurtuar”, ka thënë Ismajli për Klan Kosovën.