Pasaporta ka veç për ata që paguajnë 50 euro shtesë

Dikush me nxitim e dikush pak më qetë po hyn në objektin e Agjencisë për Regjistrim Civil këtu në Prishtinë.Nevoja e shumë qytetarëve është që të pajisen me dokumente identifikuese.

Problem për ta po del të jetë, marrja e pasaportës.

Përveç pritjes së gjatë, Dukagjin Ajazi, thotë se është i pakuptimtë edhe fakti që për procedurë të rregullt nuk ka pasaportë, ndërsa për atë urgjente po, veç se për këtë duhet paguar më shumë.

Për të vërtetuar fjalët e këtij qytetari, televizioni pyeti edhe zyrtarët e brenda kësaj agjencie.

Për zgjidhjen e këtij problemi është hapur tenderi më 21 prill nga Ministria e Punëve të Brendshme në vlerë prej 12 milion e 500 mijë euro.

Kjo kontratë publike kornizë do të ketë kohëzgjatje prej 36 muajsh, ndërsa kanë aplikuar vetëm dy kompani.

Njëra nga to, ka bazë edhe në Serbi, për çka T7 mëson se kjo është arsyeja e pezullimit të përkohshëm të tenderit.

Më saktësisht kjo po ndodh që të kryhet një verifikim nga autoritetet shtetërore.

Për t’u interesuar më shumë për këtë problem të qytetarë, T7 pyeti edhe zëvendësministrin e Punëve të Brendshme, Bardhyl Dobra, por siç duket ai nuk ia kishte idenë për këtë çështje.

Megjithatë, atë çka Dobra mundi të konfirmojë, është se ky stopim ka të bëjë me tenderin e hapur nga MPB-ja.