Pasanikët e QKUK-së: Kjo është vlera e pasurisë së drejtorëve të Klinikave

Drejtorët e klinikave në QKUK sipas deklarimit të pasurisë në Agjencinë Kundër Korrupsionit, kanë pasuri në vlerë qindra mijëra euro.

Disa prej tyre posedojnë patundshmëri të shtrenjta, vozitin vetura luksoze, dhe përveç klinikës punojnë edhe në disa ordinanca ose spitale të tjera.

Gazeta ka bërë një përmbledhje të pasurisë së shumicës së drejtorëve të cilët ende janë në këto pozita. Disa klinika që nuk janë përmendur, drejtorëve të tyre iu ka skaduar mandati.

Basri Lenjani, drejtor i Emergjencës, merr pagë të rregullt në QKUK rreth 855 euro dhe në kolegjin Rezonanca 1200 euro. Ai i ka 7,500 euro para të gatshme në bankë, ndërsa vozitë veturë Fiat Punto në vlerë 1 mijë euro. Lenjani ka një shtëpi dhe tokë në emër të prindit.

Nehat Baftiu, drejtor i Anestezionit, merr pagë primare prej 1300 eurosh në Fakultetin e Mjekësisë dhe pagë 1100 euro në klinikë. Ai ka deklaruar rreth 25 mijë euro para të gatshme në bankë, ndërsa vozitë veturë në vlerë 15 mijë euro. Baftiu ka deklaruar pasuri të patundshme, tokë, shtëpi dhe banesë në vlerë rreth 650 mijë euro.

Ferat Sallahu, drejtor i Kirurgjisë Abdominale, ka deklaruar katër paga: SHSKUK 1200 euro, UP 550 euro, Kolegji AAB 1200 euro dhe Kolegji UBT 1200 euro. Sallahu ka deklaruar rreth 23 mijë euro para të gatshme në bankë, si dhe rreth 160 mijë euro kredi në dy banka. Sallahu posedon tri vetura në vlerë afër 30 mijë euro. Ai është pronar i një restorani dhe një salle dasmash të cilat kanë vlerë 650 mijë euro.

Murat Berisha, drejtor i Kirurgjisë së Fëmijëve, ka deklaruar pagë në SHSKUK 1100 euro, në kolegjin Rezonanca 1050 euro, në Fondin e Sigurimeve Shëndetësore 640 euro, si dhe mëditje në Federatën e Futbollit 33 euro. Berisha ka deklaruar para të gatshme rreth 3 mijë euro në bankë, ndërsa vozitë veturë Skoda në vlerë 19,500 euro. Berisha ka deklaruar një livadh në emër të tij, ndërsa dy banesa në pronësi të përbashkët.

Zejnë Buja, drejtor i Kirurgjisë Plastike, merr pagë vjetore rreth 15 mijë euro me kujdestari në QKUK, 14,400 në kolegjin UBT, si dhe mëditje në OMK dhe MSH. Buja ka deklaruar 20 mijë euro kredi, dhe rreth 13 mijë euro para të gatshme në bankë. Ai ka deklaruar një biznes me emrin “Zejnë Buja NI” i cili është në emër të bashkëshortes. Të dy vozitin dy vetura në vlerë 28 mijë euro. Buja ka deklaruar shtëpi në emër të tij, ndërsa dy parcela në emër të prindit.

Saudin Maliqi, drejtor i Kirurgjisë Torakale, ka deklaruar pesë paga në muaj. Ai merr rreth 1300 euro në QKUK, 1200 në Kolegjin AAB, si dhe nga 500 euro për rastet e punuara në tri spitale të ndryshme, Spital Amerikan, Klinika Sirona si dhe në Spitalin Fati Im. Maliqi ka deklaruar mbi 100 mijë euro para të gatshme në bankë, si dhe 5 mijë euro borxh. Kirurgu posedon dy vetura në vlerë mbi 20 mijë euro, një banesë në vlerë 80 mijë euro si dhe dy parcela toke.

Hajriz Rudari, drejtor i Kirurgjisë Vaskulare, ka deklaruar pagë në QKUK 11,450 euro në vit, ndërsa rreth 24 mijë euro i merr nga ordinanca e tij. Rudari ka deklaruar edhe një pagë 1416 euro nga kompania Alk-Kos Pharm për promovim. Kirurgu ka deklaruar afër 50 mijë euro para të gatshme në bankë në llogarinë e tij, si dhe afër 40 mijë të tjera të përbashkëta. Rudari ka deklaruar një kredi 30 mijë euro, si dhe 18 mijë euro tjera borxhe. Ai ka një ambulancë specialistike në vlerë 120 mijë euro, ndërsa vozitë Audi Q5 në vlerë 15 mijë euro. Rudari ka deklaruar patundshmëri shtëpi, banesë, lokalë dhe garazhë në vlerë rreth 170 mijë euro, shkruan gazeta shneta.

Arsim Morina, drejtor i Neurokrirugjisë, merr pagë në QKUK rreth 1800 euro dhe në Akademinë e Shkencave rreth 1160 euro. Morina dhe bashkëshortja e tij kanë para të gatshme në bankë rreth 235 mijë euro. Neurokirurgu vozitë veturë në vlerë 20 mijë euro, ndërsa i ka dy banesa në vlerë mbi 200 mijë euro, dhe një lokal dhe vikendicë në vlerë poashtu 200 mijë euro.

Hajdin Thaqi, drejtor i ORL-së, paguhet me 850 euro në QKUK si dhe 3 mijë euro në spitalin Kavaja. Ai poashtu merr edhe pagë mujore 600 euro nga kompania Biohit. Thaqi nuk ka deklaruar para të gatshme në bankë. Ndërsa ka deklaruar patundshmëri tokë, objekt afarist, banesë dhe shtëpi në vlerë rreth 680 mijë euro.

Sabit Mehmeti, drejtor i Urologjisë, merr pagë vjetore në QKUK rreth 14 mijë euro, ndërsa në Poliklinikën Jeta afër 4 mijë euro, Spitali Fati Im 141 euro, si dhe dividenta nga Poliklinika Jeta në vlerë 6 mijë euro. Mehmeti ka deklaruar mbi 25 mijë euro para të gatshme në bankë, si dhe kredi e borxhe mbi 30 mijë euro. Urologu ka 50 për qind aksione në Poliklinikën Jeta, ndërsa vozitë veturë në vlerë 6 mijë euro. Ai ka deklaruar truall, banesë dhe shtëpi në vlerë mbi 90 mijë euro.

Avni Kryeziu drejtor i Reumatologjisë, merr pagë 850 euro në QKUK dhe në kolegjin Rezonanca 530 euro. Ai ka deklaruar afër 13 mijë euro para të gatshme në bankë, ndërsa vozitë veturë në vlerë 11 mijë euro. Kryeziu posedon banesë në vlerë 70 mijë euro si dhe tokë të trashëguar nga prindi.

Zaim Gashi, drejtor i Gastroenterologjisë, merr pagë vjetore në QKUK 14,500 euro, në UBT 12,500, si dhe në ordinancën Gastro 12 mijë euro. Gashi ka deklaruar rreth 6 mijë euro para të gatshme në bankë, si dhe një kredi 30 mijë euro. Ai është pronar i ordinancës Gastro, ndërsa vozitë veturë në vlerë 15 mijë euro. Gashi posedon tokë dhe shtëpi në vlerë 160 mijë euro.

Jakup Ismajli, drejtor i Gjinekologjisë, ka deklaruar pagë në QKUK 876 euro dhe 1130 euro nga ordinanca në Shtime. Ai ka 4 mijë euro para të gatshme në bankë, ndërsa vozitë Audi A4 në vlerë 9 mijë euro. Ismajli ka një banesë, shtëpi dhe një truall në emër të tij, ndërsa edhe disa prona tjera të përbashkëta.

Ilir Kurtishi, drejtor i Onkologjisë merr pagë 1146 euro në QKUK, 315 euro në UP dhe 385 euro në kolegjin Rezonanca. Ai poashtu paguhet në shoqatën e onkologëve me 280 euro. Kurtishi ka mbi 14 mijë euro para të gatshme në bankë, ndërsa vozitë veturë në vlerë 15 mijë euro. Ai ka deklaruar një banesë dhe një shtëpi të përbashkëta në vlerë mbi 120 mijë euro.

Shemsi Veseli, drejtor i Biokimisë, merr këto paga vjetore: 11,400 euro në QKUK, 400 euro në Heimerer, 450 në Odën e Infermierëve si anëtar i Komisionit, dhe 2400 euro në Euromed. Ai ka deklaruar 5200 euro në bankë, dhe një veturë në vlerë 16 mijë euro. Veseli ka deklaruar banesë në emër të bashkëshortes në vlerë 54 mijë euro.

Bujar Gjikolli, drejtor i Radiologjisë mban gjashtë vende të punës. Ai ka deklaruar pagë 850 euro në QKUK, si dhe në kolegjin AAB 1400 euro. Gjikolli punon edhe në dy spitale private ku paguhet me rreth 400 euro në të dyja. Poashtu punon në një ordinancë tjetër ku paguhet me 100 euro, si dhe në një biznes Human Health Hygiene ku merr pagë 256 euro. Gjikolli ka deklaruar afër 8 mijë euro para të gatshme në bankë, ndërsa vozitë veturë në vlerë 14 mijë euro. Ai posedon shtëpi në vlerë 450 mijë euro, banesë 140 mijë euro, tokë 50 mijë euro.

Shaban Mecinaj, drejtor i Psikiatrisë, ka deklaruar pagë vjetore afër 17 mijë euro në QKUK, 2784 euro në një OJQ. Ai ka deklaruar një veturë në vlerë 5 mijë euro, ndërsa disa pasuri të patundshme në pronësi të përbashkët. Mecinaj nuk ka deklaruar para të gatshme në bankë.

Nexhmedin Shala, drejtor i Neurologjisë, ka deklaruar pagë 892 euro në QKUK, 550 euro në Fakultetin e Mjekësisë, si dhe 1300 euro në Spitalin Euromed. Shala ka deklaruar para të gatshme të përbashkëta në vlerë mbi 160 mijë euro. Shala është aksionar 25 për qind në Euromed Group. Ai ka deklaruar veturë në vlerë 26 mijë euro, dhe patundshmëri dy banesa në vlerë 70 mijë euro, shtëpi 22 mijë euro, si dhe disa truall toke. Shala poashtu ka deklaruar blerjen e shtëpisë në Lagjen Qendresa Home në vlerë 70 mijë euro.

Fatime Kokollari, drejtoreshë në Dermatologji, ka deklaruar pagën mujore në QKUK rreth 1 mijë euro. Ajo posedon rreth 50 mijë euro para të gatshme në bankë, si dhe 49 për qind të aksioneve në ordinancën Derma Plus. Kokollari ka një banesë në vlerë 90 mijë euro.

Dukagjin Zogaj drejtor i Alergologjisë, merr pagë vjetore në QKUK 13,214 euro, 11,136 euro në ordinancën Alergji Astma, si dhe ka deklaruar mbi 38 mijë euro qira nga një shtëpi dhe një banesë. Zogaj poashtu punon edhe në Rezonancë ku paguhet me afër 9 mijë euro. Ai ka deklaruar mbi 17 mijë euro para të gatshme në bankë, si dhe kredi mbi 200 mijë euro. Zogaj është aksionar në ordinancën Alergji Astma me 50 për qind, ndërsa vozitë veturë në vlerë 36,500 euro. Ai ka deklaruar disa prona të paluajtshme, katër shtëpi, disa lokale dhe garazha, parcelë toke, të cilat në total kapin shifrën prej mbi 870 mijë euro, shkruan gazeta shneta.

Gani Halilaj, drejtor i Institutit të Psikiatrisë Forenzike, paguhet me 11,627 euro në vit. Ai poashtu paguhet me nga 12 mijë euro edhe në kolegjin UBT si dhe në biznesin “Enirefleks”. Halilaj ka deklaruar rreth 6 mijë euro para të gatshme si dhe 10 mijë euro borxh. Ai vozitë veturë në vlerë 26 mijë euro. Halilaj ka deklaruar tri banesa, një shtëpi, dy truall toke dhe një mal.

Fakir Spahiu, drejtor i Mjekësisë Nukleare, merr pagë mujore 1400 euro në QKUK, si dhe në kolegjin AAB paguhet për orë 25 euro. Ai ka deklaruar një kredi në vlerë 70 mijë euro, ndërsa nuk ka paraqitur para të gatshme në bankë. Spahiu vozitë një veturë në vlerë 1 mijë euro. Ai ka një shtëpi në vlerë 115 mijë euro.

Rina Limani, drejtoreshë e Institutit të Patologjisë, ka marr pagë vjetore në QKUK dhe UP mbi 15 mijë euro. Ajo punon edhe në dy biznese private, Vita Lab ku paguhet me 2500 euro dhe Roche 700 euro. Limani ka deklaruar mbi 11 mijë euro para të gatshme në bankë, dhe veturë në vlerë 10 mijë euro. Ajo ka në pronësi tetë parcela të tokës, vlerën e të cilave nuk e ka deklaruar.

Lulzim Geci, drejtor në Shërbimin e Ortoprotetikës, ka deklaruar pagë mujore në QKUK 841 euro. Ai vozitë veturë në vlerë 7 mijë euro, ndërsa ka në pronësi një shtëpi familjare në vlerë 250 mijë euro.

Gëzime Pllana, drejtoreshë në Barnatoren Qendrore, merr pagë vjetore në QKUK mbi 10 mijë euro, në Kolegjin Rezonanca paguhet me rreth 700 euro. Pllana ka deklaruar mbi 20 mijë euro para të gatshme në bankë, si dhe një kredi në vlerë 12,500 euro. Ajo posedon një veturë në vlerë 18 mijë euro, ndërsa pasurinë e paluajtshme e ka të përbashkët. /Gazeta Shneta/