Pas vrasjes raciste në Paris, përplasen protestuesit me policinë

Përplasje të reja mes proteuseve kurdë dhe policëve kanë vazhduar të shtunën në Paris, pas vrasjes së tre personave të këtij komuniteti të premten.

Ata rrotulluan vetura dhe ndezën zjarre të vegjël afër Sheshit “Republique”, i njohur për protesta ku kurdët më herët mbajtën protestë paqësore.

Të premten, një burrë 69 vjeçar vrau tre persona gjatë sulmit me armë në zonën e banuar nga komuniteti kurd në Paris, i cili u arrestua dhe ishte i njohur për dhunë raciste te autoritetet e rendit.

Këto vrasje ndodhën pak para përvjetorit të vrasjeve të tre grave kurde në Paris në janar të vitit 2013, por hetimi u ndalua pasi i dyshuari kryesor vdiq pak para gjykimit.

Megjithatë, përfaqësuesit kurdë gjatë takimit me kryeshefin e policisë së Parisit, kërkuan që sulmi i së premtes të shqyrtohet si sulm terrorist, raporton AFP, përcjell Klankosova.tv.

Ndërkohë, zyra e prokurorit njofton se sulmuesi vazhdon të merret në pyetje nga autoritetet.