Pas vërshimeve, Qeveria ka një njoftim për qytetarët e Kosovës

Qeveria e Kosovës ka bërë të ditur se është duke përcjellë me vëmendje situatën në terren pas vërshimeve të fundit dhe ka ngritur nivelin e gatishmërisë.

Po ashtu është bërë e ditur se nuk ka kërkesa për ndihmë nga komunat, por gjithsesi Qeveria ka bërë të ditur se do u përgjigjet kërkesave të qytetarëve në rast nevoje.

Të nderuar qytetarë,

Reklamë

Me vëmendje jemi duke e përcjellur situatën në terren dhe për këtë kemi ngritur nivelin e gatishmërisë së kapacitetit koordinues dhe reagues, me qëllim të reagimit ndaj situatës së krijuar nga të reshurat anë e mbanë Kosovës, konkretisht:

Agjencia për Menaxhimin e Emergjencave (AME) ka njoftuar të gjithë akterët dhe njoftimi për ngritje të nivelit të gatishmërisë i është përcjellë të gjitha Komunave- Drejtorive përkatëse për Mbrojtje dhe Shpëtim, përmes sistemit të Qendrave Operative Emergjente 112, të cilat vazhdimisht po e monitorojnë gjendjen.

Është bërë njoftimi për gjendjen e personelit dhe paisjeve të ekipeve për pompim me kapacitet të lartë, kërkim shpëtimit në ujëra sipërfaqësorë dhe barrierave për mbrojtje të infrastrukturës kritike.

AME është duke e përcjellur gjendjen në vazhdimësi dhe është e gatshme për reagim me Njësitë Profesionale të Zjarrëfikësve dhe Shpëtimit në Komuna. Megjithatë, deri më tani, nuk ka pranuar ndonjë kërkesë nga komunat dhe nuk ka pranuar njoftime se është shpallur gjendje rreziku nga asnjë pjesë e territorit për nivelin qendror.

Përkundër faktit që deri më tash nuk ka kërkesa nga komunat, niveli qendror është në gjendje gatishmërie që tu përgjigjet kërkesave të qytetarëve. Për këtë, Ministria e Punëve të Brendshme do të koordinojë dhe bashkëpunojë edhe me FSK-në të cilët kanë mobilizuar ekipet e tyre për reagim, andaj, apelojmë tek komunat që të adresojnë kërkesat dhe nevojën për ndihmë dhe në të njejtën kohë apelojmë tek qytetarët, që për të evituar rreziqet të bashkëpunojnë duke ndërmarrë hapat si në vijim:

Informimin mund ta bëni në Qendrën Operative Emergjente, përmes numrit unik (integruar) emergjent – 112 (këtë numër emergjent – 112 mund ta thirrni dhe merrni, pa prefiks, nga cilido qoftë vend apo pozitë në Republikën e Kosovës).

Gjithashtu mund të thirrni edhe në këta numra:

• Njësinë më të afërt Profesionale te Zjarrfikës dhe Shpëtimit në numrin e telefonit 193,

• Policinë e Kosovës, në numër të telefonit 192,

• Ndihmën e shpejtë , në numër të telefonit 194.