Që nga heqja e tarifës 100% për produktet serbe dhe vënia e reciprocitetit ndaj Serbisë, importi total nga ky shtet kap shifrën e 16 milionë euro, ndërsa Kosova ka eksportuan në Serbi afro 6.5 milionë euro.

Zëdhënësi i Doganës, Adriatik Stavileci, në një intervistë për EO, ka thënë se pas vendosjes së reciprocitetit, është parë një rritje e vazhdueshme e importeve nga Serbia.

“Që nga data 1 prill, kur edhe Qeveria e Kosovës ka marrë vendimin për heqjen e taksës 100 për qind dhe vendosjes së reciprocitetit, ne kemi parë rritje të vazhdueshme të importeve nga Serbia, po ashtu edhe nga Bosnja. Derisa në 10-ditëshin e parë, importi ka qenë në vlera shumë të ultë, këto 20 ditët e fundit të këtij muaji, ne kemi parë normalizim të situatës”.

“Nga Serbia dhe nga Bosnja kanë hyrë një numër i madh i dërgesave. Nga Serbia deri më tani kemi më shumë se 2200 dërgesa ndërsa nga Bosnja rreth 300 dërgesa të mallrave të ndryshme. Ndërsa si vlera monetare, importi total nga Serbia deri më sot është 16 milionë euro, ndërsa nga Bosnja është 3 milionë euro”, u shpreh ai.

Stavileci tutje ka thënë se pas shkaktimit të kësaj situate nga pandemia, Kosova importon medikamente nga Serbia.

“Në këtë periudhë të pandemisë, importi në përgjithësi është fokusuar në produkte më esenciale. Nga Serbia dallojnë tri industri kryesore që janë duke u importuar në Kosovë, janë industria ushqimore, industria e materialit ndërtimor si dhe industria e barnave. Pra kemi import të medikamenteve të cilat vijnë nga Serbia”, ka përfunduar Stavilevci.