Pas valës së kritikave për skeçin skandaloz, reagon aktorja Delinda Disha: Duhet ju të më kërkoni falje mua

Episodi i parë i programit me karakter argëtues “Klanifornia”, nuk është pritur mirë.

Kjo, pasi një nga skeçet e këtij spektakli, i interpretuar nga aktorja, Delinda Disha, ofendoi rëndë ushtarët e Kosovës.

“Burrat e Kosovës njihen vetëm për ahengje dhe valle, ndërsa serbit nuk i kanë bërë asgjë tjetër pos që i kanë thurrë këngë dhe lavde”, ishin vargjet e cituara nga aktorja shqiptare, në portretizimin e luftëtares së njohur, Shotë Galica.

Ashtu siç edhe pritej, një reagim publik erdhi në orët e vona të së premtes nga aktorja Disha, e cila mesa duket prapëseprapë nuk ka arritur të shpjegohet sa duhet.

Duke e zhvendosur vëmendjen tek fakti se gjatë interpretimit të rolit, ajo përmendi gjendjen e mjerueshme të varrit të Shotë Galicës, i cili nuk mirëmbahet nga pushtetarët, të cilët kanë ngritur memoriale për turq, grekë e të tjerë, Delinda Disha nuk e ka përmendur fare në reagimin e saj deklaratën skandaloze të bërë gjatë interpretimit, atë për burrat e Kosovës – të cilën e bëri vetëm pak si ‘çau hallin’ e gjendjes së mjerueshme të varrit të Shotë Galicës

“Ishte e tmerrshme kur pashë varrin e burrneshës dhe trimëreshes në atë gjendje. Zgjodha përmes interpretimit tim të bëj një thirrje për të gjithë politikanët që nuk vënë dorë për heronjtë dhe heroinat ndërkohë ngrejnë memoriale për turqit, grekët”, ka shkruar ndër të tjerash Delinda në reagimin e saj.

Tutje, ajo ka “fajësuar” gazetarët që fokusin e lajmit e zhvendosën te vargjet skandaloze që interpretoi gjatë rolit, duke thënë se do duhej të ishte e udhës që lajm të bëhej gjendja e mjerueshme e varrit të Shotës – ani pse mesa duket aktorja nuk është plotësisht e vetëdijshme që në çdo lajm është përmendur një gjë e tillë.

Sido që të jetë, dëshira e ngritjes së zërit për një turp të tillë siç është gjendja aktuale e varrit të luftëtares së famshme, nuk e justifikon faktin që ajo citoi vargje skandaloze për burrat e Kosovës, të cilët janë jo të paktë që luftuan, e disa prej tyre edhe humbën jetën për atdhe.

Duke thënë në storjen e fundit të shpjegimit, se janë “mediat ato që duhet t’i kërkojnë asaj falje” sepse vetëm kërkoi dy pllaka për varrin e Shotë Galicës, aktorja Delinda Disha nuk kërkoi ndjesë për talljen që u bëri burrave të Kosovës, dhe as nuk duket se ka ndër mend ta bëjë.

loading…