Pas takimit me Osmanin, Lajçak niset drejt Qeverisë

I Dërguari i Posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi Miroslav Lajçak pas takimit me presidenten Vjosa Osmani ka shkuar në qeveri ku do të takohet me kryeministrin Albin Kurti.

Pas takimit me të parën e vendit nuk ka pasë deklarime për media nga asnjëra palë, derisa nuk dihet nëse do të ketë edhe pas takimit të Lajçakut me shefin e qeverisë.

Gjatë ditës zëdhënësi i BE-së Peter Stano ka thënë se vizita e diplomatit sllovak në Kosovë dhe ajo në Serbi, ku ishte paraprakisht, kanë për qëllim përparimin në përgatitjet për takimin e radhës në nivel të lartë e për të cilin ende shpresojnë që do të mbahet gjatë këtij viti.

Stano gjithashtu ka rikujtuar që në takimin e fundit, që u mbajt më 15 nëntor, ministrat e jashtëm të shteteve anëtare të BE-së i kanë kërkuar Kosovës dhe Serbisë respektimin e marrëveshjeve të arritura.

Takimi Kurti-Lajçak do të jetë i mbyllur për medie.