Zhvillimet në veri

Pas sulmit terrorist, SHBA-ja dhe BE-ja i thërrasin Kosovën e Serbinë në dialog

Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian kanë dënuar sulmin terrorist ndaj Policisë së Kosovës, ku si pasojë një zyrtar policor, Afrim Bunjaku, ka mbetur i vrarë nga një grup serb i maskuar dhe i armatosur rëndë në fshatin Banjskë të Zveçanit. Një ditë pas sulmit, ShBA-ja dhe BE-ja kanë kërkuar që Kosova dhe Serbia t’i ulin tensionet dhe t’i kthehen procesit të dialogut në Bruksel.

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ka reaguar pas sulmit terrorist ndaj Policisë së Kosovë në veri.

Blinken në një shkrim në platformën X, ka bërë thirrje që palët t’i kthehen menjëherë dialogut të lehtësuar nga Brukseli.

“Sulmet e dhunshme ndaj Policisë së Kosovës afër Manastirit të Banjskës, janë të papranueshme.”, ka shkruar Blinken.

“Ne u bëjmë thirrje qeverive të Kosovës dhe Serbisë që të përmbahen nga çdo veprim apo retorikë që mund të nxisë më tej tensionet dhe të punojnë menjëherë në koordinim me partnerët ndërkombëtarë për të de-përshkallëzuar situatën, për të garantuar sigurinë dhe sundimin e ligjit dhe për t’u kthyer në dialogun e lehtësuar nga BE-ja”, ka shkruar tutje Blinken.

Sulmet vrastare dhe terroriste që ngjanë dje ndaj Policisë së Kosovës nga një formacion i armatosur terrorist në fshatin Banjskë të Zveçanit, i ka dënuar edhe ambasada amerikane në Beograd duke rishpërndarë deklarimin e zëdhënësit të Departamentit amerikan të Shtetit, Matther Miller.

“Shtetet e Bashkuara dënojnë fuqishëm sulmet e koordinuara dhe të dhunshme ndaj Policisë së Kosovës më 24 shtator. Ne i bëjmë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të shmangin veprimet apo retorikën që mund të nxisë tensionet dhe të kthehen në Dialogun e lehtësuar nga BE-ja”, ka shkruar ambasada amerikane.

I dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak, ka shkruar se sulmi i tmerrshëm ndaj Policisë së Kosovës dëshmon domosdoshmërinë e diplomacisë dhe dialogut.

Lajçak ka thënë se ditët në vijim do të fokusohet plotësisht në gjetjen e një rruge përpaa për sa i përket dialogut.

“Një akt i tillë frikacak i dhunës është thellësisht shqetësues dhe është në kundërshtim me vetë parimet e paqes dhe bashkëpunimit. Zemra ime është me viktimat, familjet, miqtë dhe kolegët e tyre. Ky sulm i tmerrshëm thekson më tej domosdoshmërinë e diplomacisë dhe dialogut parandalues, të theksuar gjatë javës së kaluar, kur mora pjesë në javën e nivelit të lartë të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në Nju Jork… Ishte e mrekullueshme të kthehesha në OKB, por pas një jave të “takimeve të shpejtësisë globale” ishte koha për t’u kthyer në Bruksel. Në ditët në vijim, do të fokusohem plotësisht në gjetjen e një rruge përpara”, ka shkruar Lajçak.

Ndërsa, për sulmet e djeshme, zëdhënësi i Bashkimit Evropian tha se BE “dënon fuqishëm sulmet terroriste dhe të liga ndaj Policisë së Kosovës” teksa bëri thirrje për kthim në tryezën e dialogut për normalizim të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Në konferencën e tij të përditshme për media, Stano kërkio “shtensionim urgjent” të situatës teksa iu referua sërish deklaratës së lëshuar nga Bashkimi Evropian para një jave me kërkesat ndaj Kosovës dhe Serbisë.

Ngjarjet e djeshme në veri Stano i quajti “tejet të rrezikshme” ku sulmet tha se “BE i dënon më së fuqishmi”.

“Duhet të gjejmë rrugën përtej krizave të njëpasnjëshme dhe t’i kthehemi zgjidhjes normale të problemeve përmes dialogut”, ka shtuar Peter Stano.