Pas përmbytjeve, komunat nisin themelimin e fondeve emergjente

Komunat që janë prekur nga vërshimet nuk është se s’e kanë planifikuar hapjen e një Fondi Emergjent, ashtu siç ka bërë komuna e Skenderajt. Sipas tyre, pas vlerësimit të të gjitha dëmeve do të vendosin për një gjë të tillë. Ndërsa, nga komuna e Mitrovicës kanë thënë se do të veprojnë vetëm sipas planit institucional. Për mbledhjen e fondeve janë aktivizuar edhe organizata nga diaspora, ndërsa nga Qeveria e Kosovës, vazhdojnë të heshtin, pavarësisht zotimeve për ndarje të buxhetit.

Dymijë euro janë mjetet e para që gjatë së martës janë derdhur në fondin emergjent, i krijuar nga Komuna e Skenderajt, pas dëmeve të shkaktuara nga vërshimet.

Këtë faqe, komuna e ka hapur para dy ditësh duke u bërë thirrje njerëzve të vullnetit të mirë të kontribuojnë për familjet e prekura.

E një veprim të tillë thonë se e kanë bërë pas kërkesave të shumta të qytetarëve, pasi sipas kryetarit Fadil Nura, Qeveria ka heshtur për ndarjen e mjeteve nga buxheti.

Në mesin e komunave të prekura nga vërshimet është edhe Komuna e Klinës, e cila ka zgjedhur të njëjtën metodë si të Skenderajt për hapjen e fondit emergjent.

“Sot gjatë ditës e kemi bërë kërkesën në thesar për fillimin e procedurës së hapjes të Fondit Emergjent.”

Ndërsa, nga komunat e tjera kanë thënë se s’është që nuk e kanë menduar një plan të tillë, për çka do të vendoset pasi që të dihen saktë dëmet.

Por, kështu nuk do të veprojë Komuna e Mitrovicës, pasi në një përgjigje për Kanal10, kryetari Bedri Hamza ka thënë se do të zgjedhin vetëm mënyrat institucionale.

E për ndihma janë aktivizuar edhe organizata të diasporës, përfaqësues të të cilave thonë se ka një interesim të madh për të kontribuar në vendlindje.

Por, pavarësisht zotimeve, nga Qeveria e Kosovës edhe pas 6 ditëve të vërshimeve nuk kanë ndarë ndihma financiare apo materiale për komunat e prekura.

Televizioni ka provuar të marr një qëndrim nëse ekzekutivi planifikon të hap fond emergjent, por zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu, gjatë ditës nuk ka kthyer përgjigje.