Prej nëntorit të vitit 2020, janë në paraburgim. E arsyen për ta vazhduar këtë masë, Gjykata Speciale e kishte të njëjtë.

Kryesisht ishte ajo e rrezikut që Thaçi, Veseli, Krasniqi e Selimi, të ndikojnë në dëshmitarë apo prova.

Por, për pak ditë, kjo arsye nuk do të qëndrojë.

Të paktën kështu shpresojnë ekipet mbrojtëse, juristët dhe njohësit e procesve juridike.

Sipas tyre, me përfundimin e rastit të Prokurorisë së Hagës, përfundojnë edhe arsyet për vazhdimin e paraburgimit

Kjo pasi krerët e UÇK-së në asnjë rrethanë më nuk mund të ndikojnë as në prova dhe as në dëshmitarë.

Në deklaratat e tyre publike, avokatët e Hashim Thaçit e Rexhep Selimit, kanë theksuar se gati 5 vjet në paraburgim, është kohë e gjatë.

Sipas tyre, pas përfundimit të rastit të Prokurorisë, ata do ta shqyrtojnë kërkesën për lirim nga paraburgimi, dhe caktimin e një mase më të butë.

Gazetari i Nacionales, ka qëndruar në Hagë gjatë gjithë javës, dhe ka mësuar se pavarësisht ndryshimit të rrethanave, dhe shpresës që ekziston për lirim nga paraburgimi, ky pritet të jetë një vendim i Gjykatës. Kjo e fundit, ka treguar se funksionon ndryshe nga Tribunali i Hagës apo gjykatat e tjera.

Si rezultat, mbete të shihet se cili mund të jetë vendimi, që mbase mund të jetë indikativ edhe për veprimet pasuese në Hagë.

Paraburgimi në aspektin juridik llogaritet si masë e fundit. Por, për krerët e UÇK-së kjo ka qenë masë e parë dhe e vetme.

Mirëpo, me dorëzimin e provave dhe përfundimin e dëshmitarëe, vazhdimi i paraburgimit po cilësohet si shkelje e të drejtave të të akuzuarve.

Vullnet Bugaqku, hulumtues në KDI, ka shkruar në rrjete sociale se nuk ka arsye për vazhdimin e kësaj mase.

“Kjo ngase, me përfundimin e dëgjimit të dëshmitarëve të Prokurorisë, nuk ka më ndonjë rrezik real apo mundësi për ndërhyrje në procesin gjyqësor, sidomos në frikësimin e dëshmitarëve të Prokurorisë. Përndryshe, heqja eventuale e masës së paraburgimit dhe zëvendësimi i saj me një masë më të butë, do të ndihmonte në garantimin e drejtësisë dhe shmangien e ndalimit të paarsyeshëm të personave të akuzuar në këtë rast. Po ashtu, një veprim i tillë, do të ndikonte në përmirësimin e imazhit dhe rritjen e besimit të publikut në punën e kësaj gjykatë në tërësi”, shkruante ai.