Vëllezërit Gazmend e Armend Muja, kanë publikuar sot një fotografi së bashku derisa dje u publikua një fotografi ku Gazmendi e pëlqente një koment ku Armendi cilësohej si i “poshtër”.

I sapoaderuari në Lëvizjen Vetëvendosje, Armend Muja, në kohën kur ishte analist politik, kishte shkruar një status në të cilin thoshte se është lajm i mirë se zgjedhjet në Amerikë i fitoi Joe Biden dhe Grenell nuk do të jetë emisar. Këtu shtonte edhe se Thaçi nuk do të jetë pjesë e politikës.

Në statusin e Mujës kishte komentuar një qytetar i cili thoshte se duhet të jesh shumë i poshtër për të iu gëzuar faktit se një shqiptar po gjykohet për krime të pretenduara të luftës.

“Shumë bre i poshtër duhet me qenë me ju gëzu faktit që një shqiptar po gjykohet për krime të pretenduara të luftës! Ti po mendon që edhe këta janë duke u akuzuar si ti për korrupsion”, kishte komentuar ai.

Ndërkaq këtë koment të qytetarit e ka pëlqyer vëllai i Armend Mujës, Gazmend Muja.

Ndërkaq sot dy vëllezërit Gazmend e Armend Muja kanë publikuar fotografi së bashku, derisa ky i fundit ka marrë mbështetjen e Gazmendit.

“Aderimin e vëllait, #ArmendMuja në subjektin politik LVV e pranojmë si respekt dhe konsideratë që i bëhet familjes Muja. Aderimi i tij në këtë subjekt është vlerë e shtuar për LVV, ndërsa obligim për Armendin që me perkushtimin më të madh ta begatojë edhe më shumë misionin e tij prej politikani. Nga ana ime-si vëlla, do ta ketë mbeshtetjen e plotë në arritjen e objektivave të tij, gjithmonë në shërbim të qytetarëve”, ka shkruar ai.