Pas PDK-së edhe AAK largohet nga seanca në kundërshtim të koeficientit

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka kundërshtuar vlerën e koeficientit për Ligjin e Pagave për vitin 2023, duke e lëshuar seancën e Kuvendit.

Deputetja Time Kadrijaj ka thënë se koeficienti është dashur të diskutohet në dëgjime publike dhe me të gjitha kategoritë që prek.

“Po vazhdoni me mashtru sepse kjo është politika juaj dhe asgjë tjetër nuk dini me bë vetëm me mashtru. A po ju vjen turp sepse kur është miratuar për herë të parë ligji i pagave me koeficient 129, keni qenë ju deputetët e Vetëvendosjes që nuk e keni votuar dhe nuk e keni përkrahur dhe keni thënë dhe e keni arsyetuar që nuk po e votoni ligjin e pagave për shkak se nuk është koeficienti adekuat dhe që dëmtohen shumë kategoritë në sektorin publik me këtë koeficient të pagave. Nëse dëmtohen me koeficient të pagave 129 euro punëtorët qoftë në arsim, qoftë në shëndetësi, dhe në sektorë të tjerë, në administratë, zjarrfikësit, ushtria, polici, a nuk po u dëmotjkan tash me 105 euro koeficient a. Kjo çka po bëni është turp”, ka thënë Kadrijaj.

Qeveria e Kosovës ka bërë të ditur se vlera e koeficientit në Ligjin e Pagave për vitin 2023 është 105 euro.

Në kundërshtim të kësaj, edhe deputetët e PDK-së dhe LDK-së e kanë lëshuar seancën plenare.