Pas paralajmërimit të BQK-së, bankat komerciale i rrisin normat e interesit

Rritja e normave të interesit për kreditë bankare, që u paralajmërua nga Banka Qendrore e Kosovës muajin e kaluar, duket se veçse kishte ndodhur.

Në një raport të fundit të BQK-së, vërehet se mesatarja e normes së interesit në sektorin bankar ka shënuar rritje krahasuar me muajt e kaluar të këtij viti.

Buletini Ekonomik ka krahasuar normën mesatare të interesit për muajin korrik, që është 6.1 për qind, derisa në maj ishte 5.9 për qind.

Rritje vërehet tek norma e interesit për kreditë konsumuse që ka shkuar në 6.3 për qind, prej 6.2 për qind sa ka qenë në maj.

Ndryshe, një parashikim për rritjen e normave të interesit në sektorin bankar e kishte bërë BQK-ja  duke u mbështetur në vendimet e Bankës Qendrore Evropiane.

Demokracia.com ka raportuar ditë më parë se Banka Qendrore ka paralajmëruar rritjen e normave të kredive.

“…kostot e mbajtjes së likuiditetit do të sfidohen me rritjen e normave të interesit në nivel global të cilat transmetohen direkt përmes financimit nga bankat amë. Politikat monetare të disa bankave qendrore veçse janë kundërpërgjigjur rritjes së inflacionit përmes rritjes së normave bazë të interesit. BQE ka hezituar të ndërhyjë dhe ndryshoj politikën monetare në gjysmën e parë të vitit 2022, kryesisht si pasojë e ndikimit që pritet të ketë rritja e kostos së financimit në disa nga ekonomitë e BE-së (recesionit potencial) dhe dobësimit të mëtejmë të euros”, thuhet në “Raportin e Stabilitetit Financiar” të BQK-së.

Banka Qendrore tutje në këtë raport ka thënë se kriza pandemike rriti fillimisht pasigurinë e akterëve në sistemin financiar për presion të mundshëm në menaxhimin e likuiditetit. Mirëpo, sipas BQK-së rritja e preferencave për kursime kundrejt shpenzimeve, por edhe e mundësive të reduktuara dhe pasigurive për të shpenzuar në kohë të krizës, ndikoi që bilanci i financimit të bankave të jetë në favor të pozitës së likuiditetit, pozitë që u trashëgua edhe në vitin 2021.

“Megjithatë, rritja persistente e inflacionit në nivele të papara në dekadën e fundit ka ndikuar që BQE të sinjalizoj për vendimin potencial të rritjes së normave të interesit në mbledhjen e këshillit në korrik 2022. Ndryshimet në normat e interesit në BQE do të afektojnë indirekt kostot e mbajtjes së likuiditetit dhe kostot e financimit në vend. Për më tepër, përkundër normës së lartë të likuiditetit në nivel sektori, shumica e bankave kanë shënuar rënie të raportit të likuiditetit nga viti i kaluar, ndër të cilat disa me rënie më të theksueshme”.

BQK ka treguar se edhe depozitat do të shënojnë ulje në krahasim me vitin e kaluar.

“Prospektet për vitin 2022 dhe tutje japin indikacione për sfida të reja të rritura në kontekst të kostove të financimit. Fillimisht, rritja e depozitave nuk pritet të ketë trendin e rritjes sikurse në vitin 2021, dhe kjo do te nxisë konkurrencën e bankave në tërheqje/mbajtje të depozitave, duke ndikuar rritjen e kostove të financimit”.

Banka Qendrore Evropiane, për herë të parë pas 11 vjetësh, ka vendosur t’i rrisë normat e interesit, në përpjekjeje për të kontrolluar rritjen e inflacionit në Eurozonë.

Siç ka bërë të ditur ky institucion më 21 korrik, aktualisht janë rritur normat kyçe të interesit për 0.5 për qind në 0.0 për qind, ndërsa planifikohen edhe rritje të tjera gjatë vitit.

Sipas Bankës Qendrore Evropiane, kur çmimet në ekonomi rriten shpejt, domethënë kur inflacioni është shumë i lartë, rritja e normave të interesit ndihmon në rikthimin e inflacionit në objektivin prej 2 për qind, në një periudhë afatmesme.