Pas paralajmërimeve për vërshime, shtohen masat në Deçan dhe Junik

Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës sot ka bërë të ditur se ditën e nesërme, në disa komuna mund të ketë vërshime.

Pas raportimeve për vërshime, KRU “Hidrodrini”, përmes një shkrimi në rrjetin social Facebook ka bërë të ditur se kanë ngritur shkallën e gatishmërisë dhe kanë angazhuar ekipe në terren për masa prevenuese.

Në njoftim thuhet se kryeshefi ekzekutiv i KRU ‘Hidrodrini’, Agron Tigani, ka nxjerrë vendim të rritjes së shkallës së gatishmërisë dhe vetkontrollit në komunën e Deçanit dhe atë të Junikit.

Njoftimi i plotë:

Pas paralajmërimit të IHMK-së, për vërshime të mundshme gjatë ditës së nesërme në komunat Deçan dhe Junik, që mund të ndodhin si pasojë e rreshjeve të shiut, KRU ‘Hidrodrini’ ka ngritur shkallën e gatishmërisë dhe ka angazhuar ekipe në terren për masa prevenuese.

Kryeshefi Ekzekutiv i KRU ‘Hidrodrini’, ing. Agron Tigani, ka nxjerrë vendim të rritjes së shkallës së gatishmërisë dhe vetkontrollit në komunat respekive dhe të njejtin vendim ua ka komunikuar edhe shefave të njësive përkatëse të KRU ‘Hidrodrini’ në Deçan dhe Junik.

Në të dyja komunat, ekipet e terrenit kanë marrë masat e para dhe janë duke u koordinuar në bashkëpunim të ngushtë edhe me autoritetet komunale respektive.

Shkalla prevenuese e gatishmërisë është ngritur edhe në tërë zonën e mbulueshmërisë!

Në secilin rast që konsumatorët e shohin të nevojshme asistencën në ndonjë shërbim apo koordinimin, luten ti drejtohen Njësive përkatëse në komunat e tyre.

Me respekt;

Zyra për Media e KRU ‘Hidrodrini’-Pejë