Arbitrazhi

Pas padisë së kompanisë “Iming”, AKP-ja emëron arbitrin për Arbitrazh

Agjencia Kosovare e Privatizimit konfirmon se ka emëruar arbitrin e saj për tribunalin e Arbitrazhit për gjykimin e padisë së kompanisë “Iming” për investimet në MIM Golesh, ushtruar në këtë rast AKP-së.

Mbrojtja e kompanisë “Iming”, kishte iniciuar procedurën e Arbitrazhit nëpërmjet dërgimit të njoftimit për Arbitrazh, i cili njoftim është dërguar më datën 2 prill të këtij viti pran Agjencisë Kosovare të Privatizimit dhe në bazë të rregullave të Arbitrazhit të cilat janë të aplikueshme për këtë kontratë, AKP ka pasur obligim që brenda 30 ditësh të emërojë arbitrin e vet, i cili pastaj së bashku me arbitrin e emëruar nga ana e kompanisë ‘Iming”, do të caktojnë edhe arbitrin e tretë dhe në këtë mënyrë do të konstituohet edhe tribunali i Arbitrazhit.Avokati Granit Vokshi, përfaqësues i autorizuar nga kompania “Iming”, thotë për KosovaPress se kanë pranuar përgjigje dhe është caktuar arbitri nga AKP.

Vokshi më tej tha se do të veprojnë sipas rregullave të përcaktuara.Ndërsa, zyrtarë të AKP-së thonë për KosovaPress, se AKP-ja ka kundërshtuar padinë e parashtruar nga paditësi, në këtë raste nga kompania kroate ‘Iming’.

“AKP ka kundërshtuar padinë e parashtruar nga paditësi duke vepruar konform rregullave të aplikueshme, si dhe kërkesave ligjore që i referohen kontesteve të kësaj natyre”, kështu thuhet në një përgjigje të shkurtër elektronike nga AKP.Avokati Vokshi pati thënë për KosovaPress, se procedurat e tilla të Arbitrazhit paraqesin një rrezik serioz për buxhetin e Republikës së Kosovës, prej dhjetëra milionë euro.