Shefi i Agjencisë Qendrore amerikane të Inteligjencës (CIA), William Burns, është duke qëndruar për një vizitë në Kosovë më 22 gusht.
Burns u takua me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, në kryeqytet. Në atë takim ishte i pranishëm edhe drejtori i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI), Petrit Ajeti.
Askush nga palët nuk ëshët deklaruar rreth këtij takimi deri tani. Po ashtu u raportua se Burns ka takuar edhe drejtorin e Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, shkruan Ballkani.info.
Ndërkohë, të enjen më vonë forca të shtuara të Policisë së Kosovës janë parë pranë ndërtesës së AKI-së në Fushë Kosovë.
Vizita e tij në Kosovë vjen pasi zyrtari i lartë i inteligjencës amerikane qëndroi në Bosnje e Hercegovinë dhe Serbi.
Paraprakisht, Ambasada amerikane në Prishtinë nuk konfirmoi vizitën e Burnsit në Kosovë.
Por, avioni i ushtrisë amerikane, me të cilin besohet se ka udhëtuar shefi i CIA-s në rajon, u pa mesditën e së enjtes në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”. Ekipi i Radios Evropa e Lirë e fotografoi aeroplanin e ushtrisë amerikane të ndalur para zonës “VIP” të Aeroportit.

Me këtë avion besohet se Burns ka udhëtuar nga Sarajeva në Beograd. Ndërkaq, më 22 gusht ky aeroplan udhëtoi nga Beogradi drejt Bullgarisë, Maqedonisë së Veriut dhe në fund Kosovës, sipas ueb-faqes për gjurmimin e fluturimeve, Flightradar.

Gazetarët po ashtu kanë parë një autokolonë duke u larguar nga zona “VIP” e aeroportit “Adem Jashari” drejt Prishtinës.
Kjo autokolonë është përcjellë nga makina të Policisë së Kosovës.

Në Bosnje e Hercegovinë më 20 gusht, Burns u takua me homologët e tij nga sektori i inteligjencës, me anëtarët e Presidencës së këtij shteti dhe me ministrin e Jashtëm të Bosnjës.
Siç tha për Radion Evropa e Lirë një zyrtar i Qeverisë amerikane, i cili foli në kushte anonimiteti, arsyeja e vizitës së shefit të CIA-s në Sarajevë, ndër të tjera ishte edhe për shkak të retorikës dhe veprimeve shqetësuese separatiste të presidentit prorus të entitetit të Republikës Sërpska, Millorad Dodik dhe Qeverisë së këtij entiteti.







