Pas nënshkrimit të marrëveshjes për personat e pagjetur, reagon Bajram Qerkini: Jemi të zhgënjyer nuk i besojmë dokumenteve të Serbisë

Kryetari i shoqatës “Zëri i Prindërve”, Bajram Qerkini, në një intervistë të dhënë për euronews, ka deklaruar se nuk ka besim se deklarata e nënshkruar nga Kurti dhe Vuçiç ditën e djeshme në Bruksel, do sjellë ndonjë ndryshim për sa u takon personave të zhdukur.

‘’Nuk besoj aspak. nuk besoj se Serbia do nxjerri informacion për masakrat dhe vendin se ku i ka fshehur 1671 vetë. Nuk besoj se do thonë që i kemi ekzekutuar i kemi çuar këtu apo atje. Nuk ka mundësi! Ne kemi përvojë 25 vjeçare, i ka marrë i ka çuar, 500-600 kilometra larg Kosovës dhe i kanë hedhur.’’- ka deklaruar Qerkini.

Ai ka deklaruar se, si familjarët e personave të zhdukur janë tepër të zhgënjyer dhe nuk i besojnë dokumenteve të cilat Serbia do i dorëzojë Policisë së Kosovës.

“Flitet për lloj-lloj varrezash dhe ata kurrë nuk i kanë zbuluar. Edhe pse tani janë dakorduar që do jepen ato dokumente shtetërore, ata edhe tani i kanë dhënë disa dokumente policisë, por nuk janë të gjitha. Ne si familjarë, jemi tepër të zhgënjyer dhe nuk besojmë”-tha ai.

Bajram Qerkini, tash e 23 vite pret që të marr ndonjë informacion për djalin e tij të zhdukur gjatë luftës në Kosovë