Pas miratimit, OBSH-ja shqyrton përdorimin emergjent të vaksinës së “Pfizer”-it

Organizata Botërore e Shëndetësisë ka bërë të ditur të mërkurën të ketë pranuar të dhënat nga kompanitë “Pfizer” dhe “BioNTech” rreth vaksinës së tyre kundër COVID-19 dhe është duke e shqyrtuar mundësinë për “listimin e mundshëm të saj për përdorim emergjent”, një pikë kjo reference për shtetet e tjera që ta autorizojnë përdorimin në nivel kombëtar.

Duke iu referuar rregullatorit britanik, Agjencisë së Rregullatorit për Ilaçe dhe Produkte Shëndetësore, organizata ka bërë të ditur se “është duke diskutuar gjithashtu me MHRA-në rreth mundësisë së qasjes së disa informatave mbi vlerësimet e tyre, të cilat mund ta përshpejtojnë listimin emergjent të OBSH-së”.

Britania e Madhe ka miratuar të mërkurën vaksinën kundër COVID-19 të “Pfizer”-it, duke u renditur para Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Evropës për t’u bërë vendi i parë perëndimor që e mbështet zyrtarisht vaksinën, për të cilën ka bërë të ditur se do të jetë e qasshme për shtresat më të cenueshme të popullatave deri në fillim të javës së ardhshme.

Mike Ryan, eksperti kryesor i OBSH-së për emergjenca, ka mirëpritur lajmin, duke shtuar: “Nuk duhet të ndalemi, na duhen më shumë se 3-4 vaksina”.

“Duhet ta rrisim prodhimin, duhet t’i ulim çmimet. Na duhet vaksina njëdozëshe”, ka thënë ai.

Megjithëkëtë, trupi më i madh shëndetësor i OBSH-së nuk beson se do të ketë sasi të mjaftueshme të vaksinës që brenda tre deri në gjashtë muajt e ardhshëm mund ta parandalojë shfaqjen e infeksioneve të reja.

Sidoqoftë, veprimi britanik ka nxitur shpresën se dallga shumë shpejt mund të kthehet kundër virusit që ka lënë deri më tani më shumë se 1.5 milionë të vdekur në botë, ka gjunjëzuar ekonominë globale dhe ka frenuar jetën normale të miliarda qytetarëve që prej shfaqjes së saj të parë në Wuhan të Kinës, rreth një vit më parë.

Rregullatori e miratoi vaksinën e “Pfizerit” dhe kompanisë gjermane “BioNTech”, vetëm 23 ditë pas publikimit të të dhënave të para të tyre nga testimi klinik i fazës së parë.

“Lajm i mrekullueshëm”, ka thënë kryeministri Boris Johnson në Parlament. “Megjithëkëtë, është me rëndësi shumë, shumë të madhe që në këtë fazë njerëzit të mos mbërthehen nga shpresa tepër herët”.

Fuqitë më të mëdha botërore janë vënë për muaj të tërë në një garë për zhvillimin e një vaksine dhe daljes të parët në këtë drejtim. Aprovimi i shpejtë britanik prandaj ka nxitur kritikë nga Brukseli, ku rregullatori i BE-së ka njoftuar se procedurat më të gjata janë më adekuate, pasi që bazohen në më shumë dëshmi.

Johnsoni ka lënë të kuptohet se mund ta marrë injektimin kundër COVID-19 në një prezantim të drejtpërdrejtë televiziv për të treguar se ajo është e sigurt, por sekretari i tij për shtyp ka bërë të ditur se ai nuk do ta marrë vaksinën para atyre që kanë më shumë nevojë për të.

Vetëm pak orë pas njoftimit britanik, presidenti Vladimir Putin ka urdhëruar autoritetet ruse që ta nisin vaksinimin masiv vullnetar javën e ardhshme. Rusia do të ketë të prodhuara 2 milionë doza të vaksinës së saj të miratuar brenda disa ditëve të ardhshme, ka thënë Putini.

Shefi ekzekutiv i vaksinës së “Pfizer”-it, Ralf Rene Reinert, ka thënë se shtetet e tjera janë duke bërë përpjekje për ta ndjekur shembullin e Britanisë.

“Nuk do ta shndërroja këtë në një garë mes shteteve”, ka thënë ai. “Britania e Madhe është duke udhëhequr, dhe tani le të shohim sesi shtetet e tjera mund të ecin përpara. Dhe ‘Pfizer’-i do të bëjë çmos për t’i shkëmbyer të gjitha të dhënat me çdo agjenci të mundshme rregullatore”.

Ministri gjerman i Shëndetësisë, Jens Spahn, ka thënë se shtetet anëtare të BE-së mund të kenë lëshuar aprovimet emergjente, porse Evropa ka vendosur të ecë përpara si një.

“Është me rëndësi që ta bëjmë një gjë të tillë për ta promovuar besimin dhe bindjen e plotë në këtë autorizim”, ka thënë ai.

Vlera e hiseve të “Pfizer”-it është rritur për pothuajse 4 për qind, në nivelin më të lartë që prej korrikut të 2016-s, ndërsa ato në SHBA të “BioNTech”-ut kanë fituar 5 për qind në vlerë pas vlerës më të lartë rekorde shënuar të martën.

Tregjet globale kanë shënuar po ashtu rritje si rrjedhojë e optimizmit në botë mbi mundësinë e frenimit të pandemisë, ani pse rritja e shënuar ka qenë më e lehtë sesa ajo e muajit nëntor, kur “Pfizer”-i i publikoi rezultatet e testimeve të para.