Akoma pa u bërë një muaj nga shkarkimi i Blerim Isufajt nga pozita e kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale, edhe një ministre e Kurtit ka njoftuar se hetimet ndaj saj janë pushuar.
Ministrja Fitore Pacolli, ka bërë të ditur se Prokuroria Speciale e ka njoftuar zyrtarisht për pushimin e plotë të hetimeve ndaj saj për rastin e granteve në Ministrinë e Bujqësisë.
“Sot drejtësia fitoi!”, ka shkruar Pacolli në një postim në Facebook.
Ajo ka pretenduar se vendimi e konfirmon atë që, sipas saj, e ka deklaruar që nga fillimi, se nuk ka pasur ndikim apo ndërhyrje në ndarjen e granteve nga kjo ministri.
Pacolli ka thënë se për muaj të tërë është përballur me, siç e ka quajtur ajo, një fushatë shpifjesh dhe sulmesh nga eksponentë të politikës dhe medias.
Para saj, edhe kryetari i Mitrovicës, Faton Peci, kishte njoftuar për pushimin e hetimeve në rastin e granteve, që lidhet me kohën kur ai drejtonte Ministrinë e Bujqësisë.
Ndërkaq, hetimet ndaj ish-ministrit të Infrastrukturës, Liburn Aliu, janë pushuar në një rast tjetër.
Këto zhvillime vijnë pas shkarkimit të Blerim Isufajt nga pozita e kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale dhe zgjedhjes së Zejnullah Gashit si kryeprokuror i shtetit.







