Dialogu me Serbinë

Pas letrës “ultimatum” nga BE-ja, Haradinaj mbështet Thaçin si udhëheqës i dialogut

Qeveria e ka siguruar Brukselin se mbështet presidentin Thaçi në procesin e dialogut me Serbinë, “bazuar në kompetencat e tij kushtetuese”.

“Qeveria e Kosovës në baza të rregullta komunikon me Bashkimin Evropian. Ne jemi të përkushtuar për dialog. Bazuar në kompetencat që ka, Qeveria është angazhuar me të gjitha kapacitetet e saja për një dialog konstruktiv dhe në të njëjtën kohë respekton dhe mbështet Presidentin në këtë proces, bazuar në kompetencat e tij Kushtetuese”, ka qenë në një përgjigje me shkrim, zëdhënsja e Qeverisë së Kosovës, Donjeta Gashi.

Ai këto komente i ka bërë pas letrës së dytë të përfaqësueses së lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Federica Mogherini, komisioneres për Tregti, Cecilia Malstrom, dhe komisionerit për Fqinjësi dhe Zgjerim, Johanes Hahn.

Në një letër që kryeministri Haradinaj ka pranuar nga përfaqësuesja e lartë e BE-së, Federica Mogherini, komisionerja për tregti, Cecilia Malmstrom, si dhe komisioneri Johannes Hahn, thuhet se dialogu Kosovë – Serbi nga pala kosovare udhëhiqet nga presidenti Thaçi.

Përfaqësuesit e BE-së në këtë letër shkruajnë se rezoluta e miratuar nga Kuvendi i Kosovës është një zhvillim i rëndësishëm dhe do të kontribuojë për ta forcuar peshën e autoriteteve të Kosovës dhe do të duhej të mundësonte lehtësimin, përshpejtimin e vazhdimit të procesit në mënyrë konstruktive, në kuadër të organizimit aktual të Dialogut të Nivelit të Lartë.

Mbështetja e qeverisë për presidentin vjen pas lidershipit të proklamuar nga bashkëkryesuesit Limaj-Ahmeti se, tash ata do ta kenë fjalën përfundimtare në dialog. /Ballkani.info/