Pas largimit nga Drita, Nuhiu flet mes emocionesh: Ky klub ka një vend të veçantë në zemrën time

Drita dhe trajneri Ardian Nuhiu kanë ndërprerë bashkëpunimin edhe zyrtarisht, raporton Demokracia.com.

Lajmi është bërë i ditur në konferencën e jashtëzakonshme të thirrur nga klubi gjilanas.

“Menjëherë pas ndeshjes në konsulltim me presidentin e klubit, kemi ardhur në përfundim që të ndërprejmë bashkëpunimin mbi katër vjeçar me trajnerin Ardian Nuhiu. E falënderojmë për kontributin për klubin tonë”, tha ndër tjerash drejtori gjeneral i Dritës, Feti Murseli.

Pas fjalëve të drejtorit gjeneral, trajneri Nuhiu mes emocioneve ka thënë disa fjalë lamtumirëse

“Dua të falënderojë këtë familje të madhe për këtë katër vite. Emocione, histori, fitore, dhimbje. Dua të falënderojë dy presidentët që më kanë mbështetur shumë. Kemi qenë 24 orë bashkë për të mirën e Dritës. Dua të falënderojë edhe tifozët. Mbështetje e tyre ka qenë e jashtëzakonshme. Falënderojë të gjithë, secilit futbollist, stafit, stafit mjekësor. Unë pa këta të gjithë nuk mund të arrinim këto suksese që ka arritur ky klub. Drita do të ketë vend të veçantë në zemrën time. Kemi kaluar jashtëzakonisht mirë”, ka thënë Nuhiu në konferencë për media, raporton Demokracia.com.

Tekniku shkupjan ka qenë në krye të shtabit teknik te Drita e Gjilanit në katër vitet e fundit.

Nuhiu ishte shpallur një herë kampion i Kosovës me Dritën në edicionin 2019/2020.