Pas Kurtit, biznesmenin e PDK-së e shpërblen edhe Sveçla me tender 60 mijë euro

Mbi 60 mijë euro janë ndarë nga Ministria e Punëve të Brendshme, në krye me Xhelal Sveçlën, për servisimin e veturave Chevrolet dhe Nissan. Këtë tender e ka fituar kompania “Sfishta Auto Home”, që drejtohet nga kandidati i PDK-së për asamble komunale të Prishtinës, Arsim Sfishta. Ditë më parë, tender kësaj kompanie i ka dhënë edhe zyra e kryeministrit Albin Kurti.

Veturat e Ministrisë së Punëve të Brendshme “Chevrolet Captiva” dhe “Nissan Patroll” janë bërë për servisim.

Për rregullimin e tyre është dhënë edhe një tender në vlerë prej mbi 60 mijë euro.

Ministria që drejtohet nga Xhelal Sveçla këtë tender ia ka besuar kompanisë “Sfishta Auto Home”, që për pronar e ka Arsim Sfishten e PDK-së, i cili kishte synuar të bëhej edhe asamblist në Komunën e Prishtinës, raporton Demokracia.com.

Në njoftimin e bërë në KRPP është treguar se për servisim në këtë kompani do të dërgohen 24 vetura.

Kurse, kontrata mes MPB-së dhe kompanisë do të nënshkruhet nesër.

“Mirëmbajtja dhe servisimi i automjeteve te tipit Chevrolet dhe Nissan. Chevrolet Captiva 1 dhe Nissan Patroll 23. Data e dhënies së kontratës 18.07.2022. Data e planifikuar e nënshkrimit të kontratës 20.07.2022. Grup i Operatorëve Ekonomik SFISHTA AUTO HOME SH.P.K.; N.T.SH.  SFISHTA. Vlera e përgjithshme e kontratës 60 301,26”, thuhet në njoftim.

Në dosjen tenderit janë dhënë edhe disa detaje lidhur me mirëmbajtjen e këtyre veturave.

“Mirëmbajtja dhe servisimi i automjeteve te tipit Chevrolet Captiva dhe Nissan Patroll, përfshin mirëmbajtjen e rregullt dhe ndërrimin e pjesëve, sipas nevojës për departamentet e MPB-së. Mirëmbajtja dhe servisimet do te kryhen ne vendin e operatorit ekonomik, që do të shpërblehet me kontratë. Sasia apo fushëveprimi i kontratës: 1 copë Chevrolet Captiva dhe 23 copë Nissan Patroll”.

Ditë më parë, Demokracia.com ka raportuar lidhur me tenderin që Zyra e Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit, e ka dhënë për servisim dhe mirëmbajtje tri vetura.

Tenderin për këtë punë ia kishte besuar kompanisë së njëjtë. Zyra e Kurtit dhe kompania “Sfishta Auto Home” kanë lidhur kontratë për mbi 30 mijë euro.

Ky tender është ndarë në tri loto/pjesë dhe të tria i ka fituar kjo kompani.

Siç është treguar në njoftimin e shpallur në KRPP, me këto para do të servisohen dhe mirëmbahen tri vetura të ndryshme, një BMW, një Scoda dhe një Toyota.

Arsim Sfishta në zgjedhjet e fundit që janë mbajtur në Kosovë, gjatë vitit të kaluar, ka qenë në listën e Partisë Demokratike të Kosovës si kandidat për Kuvend Komunal të Prishtinës.

Nën numrin 40, sa e kishte në listën garuese, Sfishta kishte mbajtur aktivitete të ndryshme në kërkim të votës./Demokracia.com/